Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach ka paralajmëruar që, nëse Lojërat Olimpike të Tokios nuk mund të zhvillohen as në verën e vitit 2021, atëherë ato do të anulohen.
Bach-u i bëri komentet në një intervistë për BBC-në, gjatë së cilës ai nuk pranoi të flasë për mundësinë që Olimpiada e Tokios të zhvillohet me dyer të mbyllura, nëse zbatohen masat e distancimit shoqëror.
Duke iu përgjigjur komenteve të Bach-ut, kryesekretari i kabinetit japonez Yoshihide Suga tha se vendi i tij ende synon t'i organizojë Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm:
"Unë jam i vetëdijshëm për raportet. Por ne si qeveri do të punojmë së bashku me KON-in, komisionin organizues dhe Bashkinë e Tokios, me qëllim që Lojërat të zhvillohen vitin e ardhshëm, duke siguruar që sportistët të japin më të mirën dhe që shikuesit t'i shijojnë ato në mënyrë të sigurt. Si vend pritës, ne duam të zbatojmë detyrat tona."
Më parë po atë ditë presidenti i "Tokio 2020" Toshiro Muto u shpreh se duhet të merren masa kundër koronavirusit në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm.
Muto e pranoi se po bisedohet për organizimin e Lojërave të Tokios pa sportdashës, por nuk pohoi se një gjë e tillë do të ndodhte. (Artan Goga)