"Bajerni" i Mynihut u rikthye me fitore në "Bundesligën" gjermane, duke mposhtur "Unionin" e Berlinit 2-0 dhe duke siguruar përsëri epërsinë prej katër pikësh në krye të renditjes.
Robert Lewandowski shënoi golin e tij të 26-të të sezonit me një 11-metërsh, përpara se Benjamin Pavard të shënonte me kokë në pjesën e dytë.
Ndeshja u luajt në një stadium të zbrazët në Berlin, por trajneri i "Bajernit" Hansi Flick tha se lojtarët e tij e përballuan mirë këtë gjë.
Të shtunën, "Borusia" e Dortmundit mundi "Shalken" 4-0 në derbin e parë të Ruhrit të luajtur pa shikues.
Erling Haaland-i shënoi golin e parë në "Bundesligë" më shumë se dy muaj pas pezullimit të saj. (Artan Goga)