Kampionati kombëtar i futbollit "K League" i Koresë së Jugut do të nisë sezonin e tij të shtyrë të sivjetshëm sot, teksa tifozët e futbollit në mbarë botën janë të etur për të parë më në fund ndeshje të drejtpërdrejta.
Kampionët në fuqi të "Jeonbuk Motors" do të presin fituesen e Kupës "Suwon Bluewings", në një ndeshje të shtyrë për më shumë se dy muaj nga shpërthimi i koronavirusit.
Edhe kampionatet kombëtare të futbollit në Evropë pritet të rifillojnë.
Liga Gjermane e Futbollit ka konfirmuar se "Bundesliga" do të rinisë më 16 maj, me zhvillimin e gjashtë ndeshjeve, duke përfshirë derbin e Ruhrit mes "Borusias" së Dortmundit dhe "Shalkes".
Kryesuesit e "Bajernit" të Mynihut do të përballen me "Union" të Berlinit në një nga dy ndeshjet që do të luhen të dielën e ardhshme.
Kryeekzekutivi i "Bundesligës" Christian Seifert konfirmoi se të gjitha ndeshjet do të luhen me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, "Primeira Liga" portugeze e ka përcaktuar datën e rifillimit më 30 maj.
"Super Lig" e Turqisë gjithashtu ka njoftuar se do të rinisë më 12 qershor, me qëllim mbylljen e sezonit deri në fund të korrikut.
Kryetari i federatës turke të futbollit gjithashtu tha se vendi i tij synon të presë finalen e Ligës së Kampionëve në Stamboll në gusht, ashtu siç ishte planifikuar. (Artan Goga)