"Juventusi" ka njoftuar se sulmuesi i tij argjentinas Paulo Dybala është shëruar nga koronavirusi.
Klubi italian thotë se dy analizat e fundit të Dybala-së për COVID-19 dolën negative.
Javën e kaluar u raportua se analizat e Dybala-së për sëmundjen dolën përsëri pozitive, pas disa javësh testimesh.
Futbollisti i "Juventusit" tha se ishte i përqendruar në stërvitje gjatë izolimit në shtëpi, pavarësisht se kishte COVID-19.
"Juventusi" dhe shumica e klubeve të tjera të "Serie A" kanë rinisur stërvitjet individuale këtë javë, përpara se të fillojnë sërish stërvitjet ekipore më 18 maj.