Kryetari i Komitetit Organizator të Olimpiadës së Tokios, Yoshiro Mori, është shprehur se Lojërat Olimpike Verore të vitit 2020 duhet të anulohen nëse nuk mund të mbahen në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Mori e tha këtë në një intervistë për një gazetë japoneze, por organizatorët e Olimpiadës së Tokios thanë më vonë që komentet pasqyronin vetëm mendimin e tij.
Mori u shpreh gjithashtu se Olimpiada dhe Paralimpiada mund të zhvillojnë ceremoni të përbashkëta hapjeje dhe mbylljeje, si një mënyrë për të ulur kostot.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës Mjekësore të Japonisë Yoshitake Yokokura thotë se do të jetë e vështirë të zhvillohet Olimpiada pa vaksina kundër koronavirusit
Shtyrja një vit e Lojërave Olimpike të vitit 2020, që u shpall muajin e kaluar, ishte një goditje e madhe për Japoninë, e cila kishte shpenzuar 13 miliardë dollarë për përgatitjen e kësaj veprimtarie.