Foto nga VCG

Të hënën, më se 300 parti, organizata shoqërore dhe grupe ekspertësh nga mbi 100 vende e rajone të botës i paraqitën Organizatës Botërore të Shëndetësisë një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se, për përballimin e kërcënimeve të rënda të COVID-19, bashkësia ndërkombëtare duhet të forcojë bashkëpunimin kundër pandemisë dhe OBSh-ja duhet ta zhvillojë gjurmimin e origjinës së koronavirusit në mënyrë objektive e të drejtë, duke kundërshtuar politizimin e këtij problemi.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se njerëzimi i përket një bashkësie me fate të përbashkëta dhe asnjë vend nuk mund të përjashtohet nga krizat e mëdha. Virusi nuk njeh kufij dhe vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, bashkësia ndërkombëtare mund ta mposhtë atë. Gjurmimi i origjinës së virusit është një problem shkencor serioz dhe përfundimet duhet të nxirren në bazë të fakteve e të dëshmive.

Në deklaratë vlerësohen gjithashtu disa vende, duke përfshirë Kinën, që i kanë ofruar në mënyrë aktive vaksina botës, veçanërisht vendeve në zhvillim, duke dhënë ndihmesë të madhe në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër pandemisë. Deklarata u bën thirrje vendeve që kanë kapacitete, të heqin dorë nga kufizimet ndaj eksportit dhe nga grumbullimi i tepërt i vaksinave, duke kundërshtuar me vendosmëri “nacionalizmin e vaksinave”. (Fani)