Vizita në fillim të gushtit e Nancy Pelosit në Tajvan ka ngjallur krizë në ngushticën e Tajvanit. Megjithëkëtë, pas dy javëve, edhe pesë senatorë amerikanë shkuan në Tajvan. Analistët vënë në dukje se ky veprim provokues do të shkaktojë pa diskutim përgjigjen e ashpër të Kinës.

“Kina do të marrë masa të fuqishme për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit. Orvatja e disa politikanëve amerikanë dhe e separatistëve të ‘pavarësisë së Tajvanit’ për të sfiduar parimin e ‘Një Kine’ pa diskutim do të dështojë ,” u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin.

Profesori i asociuar i historisë në Universitetin Shtetëror të Kievit të Ukrainës Urusov Vorodimir vuri në dukje: “Nën udhëheqjen e PKK-së, populli kinez po ecën drejt modernizimit. Ribashkimi i atdheut është një prirje e pandalshme dhe e domosdoshme. Qeveria dhe populli kinez kanë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të vendit, për ribashkimin e atdheut dhe rilindjen kombëtare.”

Nga ana e tij, studiuesi i Institutit të Problemeve Ndërkombëtare të Kinës Yang Xiyu tha: “Sidomos duke pasur parasysh situatën e tanishme, ne kemi parë që ShBA-ja e konsideron Tajvanin jo si një çështje të drejtësisë ndërkombëtare, por të gjeopolitikës. Ne shohim që rreziqet e ndërhyrjes së jashtme po rriten dhe duhet të bëjmë përgatitje për të dy llojet e mjeteve, si paqësore, ashtu edhe - në fund - jopaqësore.”

Analisti politik në Shkollën e Shkencave Humane dhe Shoqërore të Universitetit Deakin të Australisë Digby Wren u shpreh: “Mendoj se 180 vende në OKB e kanë njohur absolutisht parimin e ‘Një Kine’, duke përfshirë ShBA-në, të gjithë anëtarët e NATO-s, Australinë dhe Zelandën e Re. Ajo që ka ndodhur, natyrisht, është se ShBA-ja, veçanërisht në epokën e Obamës, të Trump-it dhe tani të Biden-it, po e minon pak nga pak këtë marrëdhënie.”

Duke u nisur nga interesat vetjake, një numër i vogël politikanësh amerikanë kanë shkelur herë pas here premtimin e bërë lidhur me problemin e Tajvanit, duke ndërmarrë veprime provokuese. Si pasojë, situata në ngushticën e Tajvanit është tensionuar, duke sjellë shqetësime edhe te banorët tajvanezë. Sipas një sondazhi, mbi 75 % e tajvanezëve nuk kanë besim te premtimi i bërë nga ShBA-ja për mbrojtjen e “demokracisë së Tajvanit”, dhe 38.1 % janë të mendimit se tani gjendja në ngushticën e Tajvanit është shumë e pasigurt.

Kryetari i Partisë së Punës të Tajvanit Wu Rongyuan shprehet: “Ne kemi thënë se asnjë nuk mund ta ndryshojë faktin historik se të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit i përkasin së njëjtës Kinë. Prirja e rilindjes së kombit kinez nuk mund të ndalet, pavarësia e Tajvanit nuk mund të arrihet dhe e ardhmja e Tajvanit varet nga ribashkimi i atdheut.” (Fani/Artan)