Foto nga VCG

Të dhënat më të fundit të Kinës për korrikun, të publikuara të hënën, pasqyrojnë vazhdimin e rimëkëmbjes ekonomike, megjithëse me një ritëm të moderuar. Rritja lidhet me politikat e qeverisë për të stabilizuar ekonominë, si edhe me rifillimin e prodhimit dhe të furnizimit pas shpërthimeve të fundit të COVID-19.

Prodhimi industrial, një tregues kryesor ekonomik, u rrit në korrik me 3.8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, treguan të hënën të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS).

Vlera e shtuar e prodhimit të pajisjeve u rrit me 8.4 për qind dhe e industrive të prodhimit të teknologjisë së lartë 5.9 për qind.

Për sa u përket produkteve, prodhimi i produkteve të gjelbra dhe inteligjente, si automjetet me energji të re, u rrit me 112.7 për qind, ndërsa i qelizave diellore me 33.9 për qind. Falë masave stimuluese lidhur me automjetet dhe kërkesës së jashtme të fortë, vëllimi i përgjithshëm i prodhimit të automjeteve u rrit me 31.5 për qind në korrik krahasuar me të njëjtin muaj të vjetshëm, nga 26.8 për qind në qershor.

Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit, një tregues kyç i fuqisë së konsumit të vendit, patën rritje vjetore me 2.7 për qind në korrik, megjithëse shifra ishte 0.4 pikë përqindjeje më e ulët se në qershor.

Në shtatë muajt e parë, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë ishte 24.63 trilionë juanë, 0.2 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Konsumi në internet vazhdoi të mbështetë shitjet me pakicë. Në shtatë muajt e parë, shitjet në internet të mallrave fizike u rritën me 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, 0.1 pikë përqindjeje më shumë nga rritja në periudhën janar-qershor.

Po sipas të dhënave, në shtatëmujorin e parë investimet në pasuri fikse të Kinës u rritën 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme.

Investimet në infrastrukturë u shtuan me 7.4 për qind në periudhën janar-korrik, duke shënuar rritje për tre muaj radhas. Gjatë së njëjtës periudhë, investimet në industritë e teknologjisë së lartë u shtuan me 20.2 për qind në bazë vjetore, duke mbetur në të njëjtat nivele si në gjysmën e parë të këtij viti. (Artan/Fani)