Rreth 78.34 për qind e të pyeturve nga 22 vende të botës besojnë se ekonomia kineze i ka sjellë gjallëri ekonomisë globale në një dekadë dhe është bërë motori i ekonomisë botërore, sipas një sondazhi të përbashkët të kryer nga CGTN dhe Universiteti "Renmin" i Kinës.

Mosha mesatare e pjesëmarrësve në sondazh është 38.64 vjeç. Ata janë nga vende të zhvilluara, si ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Japonia, Koreja e Jugut e Singapori, por edhe prej vendeve në zhvillim, si Brazili, Argjentina, Meksika, Tajlanda, India, Pakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Nigeria, Kenia dhe Afrika e Jugut.

Mbi gjysma e të pyeturve kanë arsim të lartë. 54.71 për qind kanë diplomë universitare ose më lart, dhe 15.22 për qind mbajnë gradë "master" ose "doktor".

Sondazhi tregon se 91.46 për qind e pjesëmarrësve nga Afrika vlerësojnë lart arritjet ekonomike të Kinës, pasuar nga Evropa me 81.6 për qind, ndërsa Amerika e Veriut renditet e treta me 78.09 %.

84.13 për qind e të pyeturve nga vendet pjesëmarrëve në nismën "Një brez, një rrugë" vlerësuan lart arritjet ekonomike të Kinës, më shumë se ata nga vendet që nuk marrin pjesë në këtë nismë. Ndërkohë, 84.02 për qind e pjesëmarrësve në sondazh nga vendet në zhvillim kanë besim te ekonomia kineze, më shumë se ata nga vendet e zhvilluara.

Prodhimi i brendshëm bruto për frymë i Kinës është rritur nga 6 100 dollarë në më shumë se 12 000 dollarë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, gjë për të cilën 76.65 për qind e të pyeturve besojnë se është e jashtëzakonshme. Mbi 70 për qind e pjesëmarrësve në sondazh nga pesë kontinente besojnë se Kina po pasurohet.

Afro 100 milionë banorë të fshatrave në Kinë kanë dalë nga varfëria në dekadën e fundit dhe shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në sondazh besojnë se dy arsyet kryesore për këtë arritje historike në zbutjen e varfërisë janë se ekonomia e Kinës ruan rritjen e shpejtë dhe se udhëheqësit kinezë janë të vendosur dhe ecin me vendosmëri drejt objektivave të tyre.

Për sa i përket zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, të pyeturve u bën më shumë përshtypje zhvillimi i teknologjisë 5G, i inteligjencës artificiale dhe i hekurudhës me shpejtësi të lartë në Kinë. Në Afrikë, 73.87 për qind e të pyeturve kishin mbresa më të mëdha nga teknologjia 5G e Kinës dhe 55.28 për qind vlerësuan hekurudhën me shpejtësi të lartë. Ndërkohë, 52.77 për qind të të pyeturve evropianë u ka bërë përshtypje përparimi i Kinës në fushën e inteligjencës artificiale.

Shumica dërrmuese e të pyeturve kanë një përshtypje pozitive për popullin kinez, dhe 84.42 për qind e pjesëmarrësve afrikanë në sondazh dhe 71.18 për qind e evropianëve besojnë se populli kinez është punëtor dhe i vetëmotivuar. Ndërkohë, edhe 70.96 për qind e të pyeturve nga vendet e "Një brez, një rrugë" dhe 74.26 për qind e atyre nga vendet në zhvillim shprehën të njëjtin mendim. (Artan/Fani)