Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtjelloi qëndrimet e palës kineze mbi çështjen e Tajvanit

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtjelloi qëndrimet e palës kineze mbi çështjen e Tajvanit

Lidhur me situatën e fundit midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit dhe mashtrimet e palës amerikane, anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtjelloi përsëri të dielën qëndrimet e Kinës mbi vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësueve të ShBA-së, Nancy Pelosi, në rajonin e Tajvanit të Kinës, duke nxjerrë në pah tre gabimet që bëri pala amerikane.

Wang, që ndodhet për një vizitë në Bangladesh, vuri në duke se ShBA-ja ka ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Kinës. “ShBA-ja, pa marrë parasysh këshillat e paralajmërimet e përsëritura të Kinës, ishte e vendosur të organizonte të ashtuquajturën ‘vizitë’ të figurës nr. 3 politike të vendit në rajonin e Tajvanit të Kinës’” , tha Wang.

Sipas kryediplomatit kinez, Tajvani nuk është një pjesë e ShBA-së, por e territorit të Kinës, gjë që është qartësuar në një premtim të dhënë në mënyrë publike nga vetë pala amerikane. Ai theksoi se veprimet e ShBA-së kanë shkelur seriozisht sovranitetin e Kinës dhe synojnë njëkohësisht të mbështesin forcat separatiste pro “pavarësisë së Tajvanit”. “Çdo vend duhet të mbrojë tërësinë e vet territoriale dhe nuk mund të lejojë forcat separatiste të veprojnë në mënyrë të pamatur,” vuri në dukje ai.

Wang Yi kritikoi autoritetet e Partisë Demokratike Progresive të Tajvanit, për përpjekjet e tyre për të promovuar “pavarësinë në rritje”, duke e quajtur vizitën e Nancy Pelosit një inkurajim për forcat e “pavarësisë së Tajvanit”, e cila bëri armik popullin kinez 1.4 miliardësh.

Veprimet amerikane kanë cenuar qëllimisht paqen në ngushticën e Tajvanit, theksoi kryediplomati, duke shtuar se ShBA-ja është mësuar të krijojë një problem së pari, duke e shfrytëzuar më vonë për të arritur agjendën e vet strategjike.

Ka shenja që dëshmojnë se ShBA-ja po përpiqet të përsërisë të njëjtin truk me planin e vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan, për të shtuar praninë e vet ushtarake në rajon, çka kërkon një vigjilencë të lartë e kundërshtim të vendosur nga të gjitha palët, tha Wang Yi.(Zhang Yan/Artan)