Foto nga VCG

Provinca Hainan e Kinës Jugore kreu testimin gjithëpërfshirës të acidit nukleik për COVID-19 të dielën, thanë autoritetet në një konferencë shtypi për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19.

Në Hainan u raportuan gjithsej 827 raste të konfirmuara të COVID-19 midis 1 gushtit dhe mesditës së 7 gushtit, si edhe 313 raste asimptomatike.

Përhapja është ende në fazën e rritjes dhe numri i personave të karantinuar ndër rastet e reja të konfirmuara po rritet, thanë zyrtarët, duke shtuar se shumica e rasteve të konfirmuara janë të lehta, dhe nuk ka raste të rënda e kritike.

Qyteti Sanya, një destinacion i njohur turistik ku gjendet shumica e rasteve të COVID-19 në Hainan, zbatoi "menaxhimin statik", duke pezulluar lëvizjen e njerëzve dhe transportin publik në qytet, të shtunën në mëngjes.

Pushteti vendor premtoi të shtunën se do të bëjë të pamundurën për të zgjidhur çdo problem që lind, si ofrimi i gjysmës së çmimit për strehimin e turistëve të bllokuar dhe thjeshtimi i procesit të anulimit të rezervimeve të udhëtimit.

Virusi i këtij raundi të fundit është i nënvariantit BA.5.1.3 të variantit "Omicron" dhe kjo është hera e parë që ai zbulohet në Kinë. Ekspertët besojnë se origjina e virusit janë ushqimet e detit të importuara në portin e peshkimit Yazhou në Sanya, ose tregtarët hainanas, të cilët mund të jenë infektuar gjatë transaksioneve me tregtarët e huaj, bënë të ditur zyrtarët vendorë. (Artan/Fani)