Sapo avioni i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelositë mbërriti në rajonin e Tajvanit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, organi më i lartë ligjvënës dhe organi më i lartë i konsultimeve politike i Kinës dhe Zyra e Çështjeve të Tajvanit shprehën dënim dhe kundërshtim të fortë, duke u zotuar për veprime të mëtejshme reagimi.

Deklarata e publikuar në faqen zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës

Deklarata e publikuar në faqen zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës thuhet se vizita e Pelosit është një shkelje serioze e parimit të “Një Kine” dhe e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, duke goditur rëndë bazën politike të marrëdhënieve Kinë-ShBA, duke shkelur rëndë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës, duke dëmtuar seriozisht paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe duke u lëshuar forcave separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” një sinjal shumë të gabuar. Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon rreptësisht këtë, dhe i ka paraqitur ShBA-së protestën e vet të ashpër”.

Sipas deklaratës, në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson tërë Kinën. Kjo përcaktohet qartë në rezolutën nr. 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1971. Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, 181 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën në bazë të parimit të “Një Kine”, i cili është një konsensus i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në vitin 1979, Shtetet e Bashkuara bënë premtimin e qartë në Komunikatën për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike Kinë-ShBA: "ShBA-ja e njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si të vetmen qeveri të ligjshme të Kinës. Brenda këtij konteksti, populli amerikan do të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare me popullin e Tajvanit". Kongresi i ShBA-së, si pjesë e qeverisë amerikane, duhet të respektojë rreptësisht politikën e “Një Kine” të qeverisë amerikane dhe të mos zhvillojë asnjë shkëmbim zyrtar me rajonin e Tajvanit të Kinës. Kina i ka kundërshtuar gjithmonë vizitat e anëtarëve të Kongresit të ShBA-së në Tajvan dhe dega ekzekutive e ShBA-së ka përgjegjësinë t’i ndalojë vizita të tilla. Meqenëse Nancy Pelosi është udhëheqësja në detyrë e Kongresit të ShBA-së, vizita e saj në Tajvan në çfarëdo forme dhe për çfarëdo arsyeje, është një provokim madhor politik për të përshkallëzuar shkëmbimet zyrtare të ShBA-së me Tajvanin. Kina absolutisht nuk e pranon këtë dhe populli kinez e hedh poshtë me vendosmëri një gjë të tillë.

Protesta në ShBA kundër vizitës së Pelosit në Tajvan(Foto:VCG)

Protesta në ShBA kundër vizitës së Pelosit në Tajvan(Foto:VCG)

Në deklaratën vihet në dukje se tani situata në ngushticën e Tajvanit po përballet me një raund të ri sfidash serioze, dhe arsyeja themelore për këtë janë lëvizjet e përsëritura nga autoritetet tajvaneze dhe pala amerikane për ta ndryshuar pandërprerë gjendjen. Autoritetet tajvaneze kanë vazhduar të kërkojnë mbështetjen amerikane për agjendën e tyre të pavarësisë dhe nuk e njohin Konsensusin e arritur në vitin 1992 mes dy brigjeve, duke bërë të gjitha përpjekjet për të shkëputur lidhjet me kulturën kineze dhe duke promovuar "pavarësinë në rritje". Nga ana e saj, ShBA-ja synon ta përdorë Tajvanin për ta penguar Kinën, e ka shtrembëruar vazhdimisht parimin e “Një Kine”, ka forcuar shkëmbimet zyrtare me Tajvanin dhe ka mbështetur veprimet separatiste të "pavarësisë së Tajvanit". Këto veprime janë shumë të rrezikshme dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen vetë në të.

Asnjë vend, asnjë forcë dhe asnjë individ nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e paluhatur, vullnetin e fortë dhe aftësinë e madhe të qeverisë dhe popullit kinez për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të tërësisë territoriale dhe për ribashkimin e atdheut dhe përtëritjen e kombit kinez. Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vet në përgjigje të vizitës së Nancy Pelosi-t në Tajvan. Pala amerikane dhe forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" duhet të mbajnë përgjegjësinë për të gjitha pasojat që lindin prej kësaj vizite.