Foto:VCG

Foto:VCG

Të enjten në mbrëmje, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e vet amerikan Joe Biden me kërkesën e këtij të fundit. Të dy presidentët patën shkëmbime të sinqerta mendimesh mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe probleme të tjera me interes të përbashkët.

Presidenti Xi vuri në dukje se në botën e sotme është dukur prirja e evoluimit të turbullirave e të transformimit, ndërsa janë shtuar deficitet në fushën e zhvillimit dhe të sigurisë. Përballë një bote në ndryshim dhe çrregullim, bashkësia ndërkombëtare dhe popujt e mbarë botës shpresojnë që Kina dhe ShBA-ja të luajnë rol drejtues për mbrojtjen e paqes e të sigurisë botërore dhe në nxitjen e zhvillimit e të lulëzimit global. Kjo është përgjegjësia e Kinës dhe e ShBA-së, si dy vende të mëdha.

Xi Jinping-u theksoi më tej se trajtimi dhe përcaktimi i marrëdhënieve kino-amerikane si konkurrencë strategjike dhe të vështruarit e Kinës si rivale kryesore dhe sfida më serioze afatgjatë, do të ishte një perceptim i gabuar i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e një keqkuptim i zhvillimit të Kinës, që do t'i orientonte në një drejtim të gabuar popujt e të dy vendeve dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Të dyja palët duhet të ruajnë shkëmbimet e niveleve të ndryshme dhe të përdorin si duhet kanalet ekzistuese për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, nënvizoi presidenti Xi. Sipas tij, situata ekonomike globale, që ndodhet përpara shumë sfidave, ka nevojë që Kina dhe ShBA-ja të ruajnë shkëmbimet mbi problemet e rëndësishme, duke përfshirë bashkërendimin e politikave makroekonomike, ruajtjen e qëndrueshmërisë së zinxhirit global industrial e të furnizimit dhe mbrojtjen e sigurisë globale energjetike e ushqimore.

Orvatjet për ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, duke shkelur ligjet bazë, nuk do të jenë në ndihmë të nxitjes së ekonomisë amerikane dhe gjithashtu do ta dobësojnë më tej ekonominë botërore. Të dyja palët duhet të nxitin zbutjen e tensioneve në pikat e nxehta rajonale, ta ndihmojnë botën të dalë sa më parë nga pandemia e COVID-19, të pakësojnë rreziqet e stagflacionit e të recesionit dhe të mbështetin sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rendin ndërkombëtar që ka në bazë ligjin ndërkombëtar.

Presidenti Xi shtjelloi në veçanti qëndrimin parimor të Kinës në çështjen e Tajvanit. Ai theksoi se historia e çështjes së Tajvanit është shumë e qartë, dhe të tilla janë edhe fakti e gjendja që të dyja brigjet e ngushticës së Tajvanit i përkasin një dhe vetëm një Kine. Tre komunikatat e përbashkëta midis Kinës e ShBA-së janë premtimet politike të të dy palëve dhe parimi i "Një Kine" është baza politike e marrëdhënieve kino-amerikane.

Kina kundërshton me vendosmëri veprimet separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" e ndërhyrjen e forcave të huaja dhe nuk do të lejojë kurrë asnjë hapësirë për forcat e "pavarësisë së Tajvanit" në çfarëdo forme. Qëndrimi i qeverisë dhe i popullit kinez për çështjen e Tajvanit është konsekuent dhe mbrojtja e palëkundur e sovranitetit kombëtar dhe e tërësisë territoriale të Kinës është vullneti i vendosur i popullit kinez mbi 1.4 miliardësh.

Opinioni publik nuk mund të shpërfillet dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen vetë prej tij, prandaj ShBA-ja duhet ta ketë të qartë këtë. ShBA-ja duhet të respektojë parimin e "Një Kine" dhe të zbatojë tre komunikatat e përbashkëta jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

Presidenti Biden u shpreh nga ana e tij se bota e sotme ndodhet në një çast kritik. Bashkëpunimi amerikano-kinez është në të mirë jo vetëm të të dy popujve, por edhe të mbarë botës. ShBA-ja shpreson të ruajë një linjë të hapur të shkëmbimeve me Kinën për të shtuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të shmangur gjykimet e gabuara e keqkuptimet, duke synuar bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët, dhe njëkohësisht kontrollin si duhet të mosmarrëveshjeve.

Biden-i ritheksoi se politika e "Një Kine" e ShBA-së nuk ka ndryshuar e nuk do të ndryshojë dhe se Uashingtoni nuk e përkrah "pavarësinë e Tajvanit".

Dy presidentët shkëmbyen mendime edhe për probleme të tjera, duke përfshirë krizën e Ukrainës. Presidenti Xi ritheksoi qëndrimin parimor të Kinës mbi këtë çështje.

Të dy krerët e shteteve e vlerësuan telefonatën ndërmjet tyre si të sinqertë e të thellë. Ata ranë në një mendje të ruajnë kontaktet dhe të udhëzojnë të dy grupet përkatëse të vazhdojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin. (Wang Lei/ Artan)