Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi të premten një mesazh Ranil Wickremesinghe-s për ta uruar për zgjedhjen si president i Sri-Lankës.

Në mesazhin e vet të urimit Xi u shpreh se Kina dhe Sri-Lanka janë dy vende me një fqinjësi të mirë. Gjatë 65 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe Sri-Lanka i kanë çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe në bazë të respektit, të barazisë dhe të leverdisë së ndërsjellë. Pas shpërthimit të COVID-19, të dy vendet kanë luftuar së bashku kundër pandemisë dhe e kanë ndihmuar njëra-tjetrën, duke forcuar miqësinë tradicionale dypalëshe.

Kreu i shtetit kinez shprehu bindjen që, nën udhëheqjen e presidentit Wickremesinghe, Sri-Lanka do të kapërcejë vështirësitë e tanishme, duke nxitur rigjallërimin ekonomik e shoqëror. Ai shtoi se Kina dëshiron t’i japë Sri-Lankës ndihmë brenda mundësive. (Fani/Artan)