Foto nga VCG

Concilia Owire, makiniste dhe zv.drejtore e repartit të mirëmbajtjes të Hekurudhës Mombasa-Najrobi, u shpreh:

“Unë e fillova përgatitjen për funksionimin e hekurudhës në një institut hekurudhor në Kenia. Pasi studiova për katër muaj, shkova në Kinë për të vazhduar studimet me ndihmën financiare të Korporatës së Rrugëve e Urave të Kinës (CRBC). Këto teknologji kineze të sjella në Kenia e kanë përmirësuar shumë teknologjinë dhe infrastrukturën tonë.”

Hekurudha Mombasa-Najrobi është projekti më i madh infrastrukturor pas shpalljes së pavarësisë së Kenias dhe është një rezultat i rëndësishëm i nismës “Një brez, një rrugë”. Në pesë vjetët e fundit, në këtë hekurudhë të ndërtuar nga Kina janë transportuar gjithsej 7 milionë e 945 mijë udhëtarë, 1 milion e 817 mijë kontejnerë dhe 20 milionë e 293 mijë tonë mallra, duke fuqizuar shumë zhvillimin ekonomik e shoqëror vendor.

Concilia Owire theksoi:

“Gjatë pandemisë, hekurudha Mombasa-Najrobi na ka dhënë një ndihmë të madhe. Kur shumica e rrugëve u mbyllën, ne mund të vazhdonim të transportonim produkte të rëndësishme eksporti.”

Hekurudha Mombasa-Najrobi është një shembull i ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe i zhvillimit të përbashkët të vendeve përkatëse.

Marsela Musabelliu, drejtorja ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit, vë në pah rolin e nismës "Një brez, një rrugë" në luftën ndaj varfërisë e nxitjen e zhvillimit:

“Projektet përkatëse mund t’i ndihmojnë 7.6 milionë banorë të vendeve përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ të shkëputen nga varfëria. Ky lajm i mirë u ka sjellë shpresë vendeve pjesëmarrëse, sepse është në favor të zhvillimit të tyre. Krahas zhdukjes së varfërisë, këto projekte promovojnë zhvillimin ekonomik vendor.”

Urusov Volodymyr, profesor i asociuar në Fakultetin e Historisë të Universitetit Kombëtar të Kievit të Ukrainës, tha:

“Pas paraqitjes së nismës ‘Një brez, një rrugë’, Kina ka zhvilluar aktivisht bashkëpunim sipas kërkesave të zhvillimit të vendeve të ndryshme. Si rezultat, nisma ka nxitur lirshmërinë e tregtisë e u ka sjellë vendeve të ndryshme mundësi të reja zhvillimi, duke dhënë kontribut për zhvillimin global.”

Zhvillimi është kyçi për realizimin e lumturisë së popullit dhe është baza për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Jeta e lumtur është e drejta e parë e njeriut. Kina nxit ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”, forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, zvogëlon hendekun e zhvillimit dhe ndan rezultatet e zhvillimit, duke dhënë kontribut për zhvillimin e çështjes globale të të drejtave të njeriut.

Urusov Volodymyr u shpreh më tej:

“Pandemia e COVID-19 ka kërcënuar sigurinë e jetës dhe shëndetin e popujve të vendeve të ndryshme, duke sfiduar sigurinë shëndetësore publike globale. Mbi bazën e konceptit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, Kina u ka dhënë 153 vendeve e 15 organizatave ndërkombëtare 2.2 miliardë doza vaksinash të COVID-19.”

Elias Jabbour, profesor i asociuar i ekonomisë i Universitetit Shtetëror të Rio-de-Zhanejros, u shpreh:

“Kina është nismëtare e një globalizimi të tipit të ri me konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Të gjithë mund të shohin se Kina nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera, nuk nis luftëra e nuk krijon uri. Kjo do të thotë se Kina është një shembull në shndërrimin e modelit të marrëdhënieve ndërkombëtare.”

Vicentiu Gheorghe, kryetar nderi i Shoqatës "Chinaro" të Rumanisë, thekson:

“Kina ka dhënë kontribut për zhvillimin e çështjes globale të të drejtave të njeriut. Koncepti i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit i Kinës përputhet me interesat e përbashkëta të popujve të vendeve të ndryshme për jetën e bukur. Njëkohësisht, Kina ka marrë përsipër përgjegjësinë për të dhënë një kontribut të ri për zhvillimin e njerëzimit.” (Fani/Artan)