Foto nga VCG

Nga 25 deri më 30 korrik do të zhvillohet në qytetin Haikou të provincës Hainan Panairi i 2-të Ndërkombëtar i Mallrave të Konsumit i Kinës. Siç bëhet e ditur nga Ministria e Tregtisë e Kinës, ky panair do të jetë një platformë e rëndësishme për zgjerimin e tregtisë, forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e zhvillimit mes vendeve të ndryshme. Kina i mirëpret kompanitë e vendeve të ndryshme të ndajnë mundësitë që ofron tregu kinez, për të promovuar rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Sipërfaqja e përgjithshme e ekspozimit në këtë panair do të arrijë në 100 mijë metra katrorë, 20 mijë metra katrorë më shumë se në panairin e parë. Ndër to, zona e ekspozimit të mallrave ndërkombëtare zë një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë dhe në të do të vendosen produkte të mbi 1600 markave nga 61 vende. Franca do të jetë e ftuar nderi e këtij panairi. Zona e mallrave vendëse është 20 mijë metra katrorë dhe aty do të paraqiten mbi 1200 marka kineze.

Në konferencën e shtypit të organizuar të mërkurën, zv.ministri i Tregtisë i Kinës Sheng Qiuping u shpreh se tani tregu kinez i konsumit po rigjallërohet dhe nuk ka ndryshuar prirja e shtimit të konsumit në vend. Panairi i mallrave të konsumit do të forcojë besimin e konsumatorëve dhe do të shtojë gjallërinë e konsumit.

Sipas të dhënave, në vitin 2021, importi i mallrave të konsumit nga Kina shënoi rekord të ri të lartë dhe vëllimi i importit arriti në 1.73 trilionë juanë, duke u shtuar 9.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (Fani/Artan)