Të mërkurën u përurua në Parkun "Ueno" në Tokio të Japonisë statuja e bronztë e murgut budist Jian Zhen, e krijuar nga skulptori kinez dhe drejtori i Galerisë së Arteve të Kinës Wu Weishan.

Statuja është 2.5 metra e lartë dhe krijon imazhin e murgut budist të dinastisë Tang të Kinës Jian Zhen, që udhëtoi gjashtë herë për në Japoni.

Ambasadori kinez në Japoni Kong Xuanyou u shpreh në ceremoninë e përurimit se Jian Zhen është jo vetëm një pionier në historinë e shkëmbimeve kulturore të Kinës me Japoninë, por edhe simboli i historisë së gjatë së miqësisë ndërmjet dy vendeve. Me rastin e 50-vjetorit të normalizimit të marrëdhënieve kino-japoneze, përurimi i statujës së Jian Zhen-it në Parkun "Ueno" ka rëndësi të madhe.

Para mbi 1200 vjetëve, murgu budist i dinastisë Tang, Jian Zhen, u nis gjashtë herë për në Japoni, pa marrë parasysh vështirësitë. Ai dështoi në pesë herët e para dhe më në fund mbërriti në Japoni në vitin 753. Jian Zhen jo vetëm përhapi budizmin në Japoni dhe ndërtoi tempullin "Toshodai", por edhe çoi në Japoni kulturën e dinastisë Tang. Ai dha ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e mjekësisë, të arkitekturës e të artit japonez etj., duke promovuar miqësinë ndërmjet të dy popujve. (Fani/Artan)