Foto nga VCG

Raketa bartëse "Marshimi i Madh-5B Y3", e cila në ditët në vijim do të çojë modulin laboratorik "Wentian" në stacionin hapësinor orbital të Kinës që është në ndërtim e sipër, është transportuar në pikën e lëshimit në vendin e nisjes së anijeve kozmike "Wenchang" në provincën Hainan të Kinës Jugore të hënën në mëngjes.

Në ditët e ardhshme, në vendin e nisjes planifikohet të zhvillohen kontrolle të ndryshme funksionale dhe teste të përbashkëta para nisjes.

Aktualisht, kompleksi i stacionit hapësinor të Kinës përbëhet nga moduli kryesor "Tianhe", anija e mallrave "Tianzhou-4" dhe anija kozmike me ekuipazh "Shenzhou-14".

Anija e mallrave "Tianzhou-3" u nda nga kompleksi të dielën, duke e lënë portën e përparme të lidhjes të "Tianhe" për modulin e ardhshëm laboratorik "Wentian".

Tre anëtarët e ekuipazhit të "Shenzhou-14", ose taikonautët siç quhen astronautët kinezë, të cilët arritën në modulin bazë muajin e kaluar, do të dëshmojnë takimin dhe lidhjen e "Tianhe" dhe "Wentian" në orbitë.

Stacioni hapësinor i Kinës do të zgjerohet nga moduli themelor "Tianhe" në një strukturë bazë me tre module në formë T-je deri në fund të këtij viti, me "Tianhe" në qendër dhe dy modulet laboratorike "Wentian" dhe "Mengtian" në secilën anë të tij.

Ashtu si "Tianhe", edhe moduli laboratorik "Wentian" përmban mjedise jetese për taikonautët, duke përfshirë tre zona gjumi, një tualet dhe një kuzhinë. (Artan/Fani)