Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping u shpreh të hënën se Kina është e gatshme të punojë me vendet e mbarë botës për të promovuar një zhvillim global më të fuqishëm, më të gjelbër e më të shëndetshëm.

Në një letër urimi për një forum mbi zhvillimin global të mbajtur në Pekin të hënën, kreu i shtetit kinez tha se bota po përballet me ndryshime të mëdha e me pandeminë e shekullit, dhe rimëkëmbja ekonomike globale është e dobët dhe e ngadaltë. Sipas tij, hendeku i zhvillimit ndërmjet Veriut e Jugut po zgjerohet dhe bota ka hyrë në një periudhë të re turbullirash e ndryshimesh, ndërsa promovimi i zhvillimit global është bërë një temë kryesore për njerëzimin.

Për këtë arsye, vijoi më tej presidenti Xi, Kina propozoi Nismën e Zhvillimit Global dhe është e gatshme të bëjë përpjekje të përbashkëta me vendet e mbarë botës për një qasje të përqendruar te njerëzit, për të arritur përfitime të përbashkëta dhe për t'i dhënë përparësi zhvillimit në agjendën ndërkombëtare.

Ai theksoi edhe gatishmërinë e Kinës për të punuar me vendet e tjera për nxitjen e zhvillimit të nxitur nga risitë dhe të harmonisë ndërmjet njeriut e natyrës, përshpejtimin e zbatimit të Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara dhe një zhvillim global më të fuqishëm, më të gjelbër dhe më të shëndetshëm.

Nisma e Zhvillimit Global u parashtrua nga presidenti kinez në shtator të vitit të kaluar në debatin e përgjithshëm të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. (Artan/Fani)