Foto nga VCG

Tre kompanitë ajrore kryesore të Kinës publikuan porositë për 292 avionë "A320neo" (Opsioni i Ri i Motorit) me vlerë mbi 249 miliardë juanë (rreth 37 miliardë dollarë) nga shumëkombëshja evropiane "Airbus", sipas njoftimeve të veçanta nga "China Southern Airlines", "China Eastern Airlines", "Air China" dhe dega e saj "Shenzhen Airlines".

"Airbus" e konfirmoi nënshkrimin e porosive për pothuajse 300 aeroplanë me kompanitë ajrore kineze.

Në njoftime, "China Southern Airlines" tha se do të blinte 96 avionë "A320neo", ndërsa "Air China" dhe dega e saj "Shenzhen Airlines" konfirmuan blerjen e 96 avionëve të të njëjtit lloj. "China Eastern Airlines" bëri të ditur se do të blinte 100 aeroplanë "A320 neo".

Marrëveshja për blerjen e avionëve është në përputhje me kërkesën e tregut dhe bazuar në besimin në zhvillimin e ardhshëm të industrisë së aviacionit civil të Kinës, thanë tre kompanitë kryesore kineze.

Christian Scherer, kryezyrtari për tregtinë i "Airbus"-it dhe kreu i "International Airbus", tha në një deklaratë për shtypin se "këto porosi të reja tregojnë besimin e fortë te 'Airbus'-i nga klientët tanë", duke vënë në dukje se porositë e reja pasqyrojnë një moment pozitiv rimëkëmbjeje e perspektivën e mirë të tregut kinez të aviacionit.

Avionët e tipit "A320neo" ofrojnë të paktën 20 për qind kursime të karburantit e të dioksidit të karbonit, me një ulje të zhurmës prej 50 për qind. Deri në fund të majit, numri i avionëve "Airbus" të vënë në funksionim nga operatorë kinezë arriti në mbi 2070.

Sipas "Reuters", dorëzimi i porosive të reja do të zgjasë nga viti 2023 deri në 2027-n, nga të cilat pjesa më e madhe pritet në vitin 2024. Nga ana e tij, "Boeing" tha lidhur me blerjen nga kompanitë e mëdha ajrore kineze të pothuajse 300 avionëve nga prodhuesi evropian i avionëve "Airbus" se "është zhgënjyese që dallimet gjeopolitike vazhdojnë të kufizojnë eksportet e avionëve të ShBA-së". (Artan/Fani)