Foto:VCG

Foto:VCG

Më 9 maj, Administrata e Përgjithshme Doganore e Kinës publikoi të dhënat e fundit të tregtisë së jashtme. Në muajin maj, import-eksporti i Kinës arriti 537.74 miliardë dollarë amerikanë, duke shënuar 11.1 % rritje. Eksporti pati rritje me 16.9 %, që është shumë më e lartë se parashikimi prej 8 % i bërë nga 28 ekspertë të pyetur nga “Reuters”, ndërsa importi u rrit me 4 %. Nën ndikimin e epidemisë, import-eksporti i Kinës në pesë muajt e parë ka shënuar rritje të qëndrueshme, çka nuk është një arritje e lehtë, duke i treguar sërish botës elasticitetin dhe aftësinë e fuqishme vetërregulluese të ekonomisë kineze.

Në muajin maj, me stabilizimin e gjendjes epidemike në Shangai, eksporti në Deltën e Lumit Jance është mëkëmbur në mënyrë të dukshme. Në maj, import-eksporti në këtë rajon shënoi rritje me afro 20 % dhe porti i Shangait është rikthyer në gjendjen e ngarkuar me punë. Në prill gjendja ishte “anijet presin mallrat”, kurse tani gjendja është “mallrat presin anijet”. Deri më 2 qershor, treguesi i çmimit të kontejnerëve të eksportit të Shangait u rrit për tre javë me radhë.

Po të shohim mbarë Kinën, ndikimet nga epidemia në importet dhe eksportet janë afatshkurtra. Analistët e UBS-së u shprehën që ndikimet në logjistikë, prodhim dhe zhdoganim janë lehtësuar që nga fundi i prillit. ING analizon që, nëse parandalimi dhe kontrolli i epidemisë në Kinë vazhdon të jetë efektiv dhe kërkesa globale vazhdon të jetë e fortë, eksportet kineze pritet të shënojnë një rritje prej 15 %.

Përse këta analistë profesionistë kanë kaq shumë besim te tregtia e jashtme e Kinës? Së pari, Kina është një pjesë kyçe në zinxhirin global të furnizimit dhe kërkesa globale për mallra kineze vazhdon të jetë e fortë. Të dhënat tregojnë se në pesë muajt e parë të këtij viti, eksportet e Kinës në vendet e ASEAN-it, partneri i saj më i madh tregtar, arritën në 1.35 trilionë juanë, me një rritje prej 12 %. Eksportet për në BE, partnerja e 2-të më e madhe tregtare e Kinës, u rritën me 17.4%; ndërsa për në ShBA, partnerja e 3-të më e madhe tregtare, u shtuan 12.9%.

Kina ka nevojë për botën dhe bota nuk mund të ndahet nga Kina. Pavarësisht provokimit të disa politikanëve perëndimorë për shkëputjen e ndërmarrjeve ndërkombëtare me Kinën, ky do të ishte një mision i pamundur. Shoqata e Promovimit të Tregtisë Ndërkombëtare e Kinës në fund të majit publikoi një raport sondazhi, sipas të cilit, në tremujorin e parë, 71 % e ndërmarrjeve të huaja të pyetura e kanë ruajtur përmasën e biznesit, 16.4 % e kanë zgjeruar biznesin e tyre dhe 72.1% e ndërmarrjeve të huaja në Kinë i kanë ngritur investimet me mbi 5%.