Në uzinën e një kompanie prodhimi të pjesëve të këmbimit të automjeteve që ndodhet në Shangai, një punëtor po kontrollon produktet në linjën e prodhimit. Kjo uzinë ka rinisur prodhimin më 6 maj dhe tani mbi gjysma e punëtorëve janë në postin e punës, ndërsa kapaciteti i prodhimit është sa 70 % e nivelit të zakonshëm.

Personi përgjegjës i kompanisë Sun Xuedong u shpreh: “Tani, ato nyja që ishin bllokuar janë hapur në përgjithësi. Kanalet logjistike, me leje të posaçme, mund të na garantojnë kërkesat e prodhimit. Deri në qershor mund të arrijmë nivelin e plotë të prodhimit.”

Kryetari i nderit i shoqatës CHINARO të Rumanisë, Vicentiu Gheorghe, thotë: “Politika ‘zero-COVID dinamike’ ka ofruar garanci shkencore dhe efikase për mëkëmbjen ekonomike. Nga qershori, prodhimi në Shangai do të kthehet në gjendjen normale dhe GDP-ja e Shangait do të japë kontribut më të madh për zhvillimin ekonomik të Kinës”.

Nën ndikimin e situatës së ndërlikuar dhe të rëndë ndërkombëtare dhe epidemisë së COVID-19, treguesit kryesorë të ekonomisë së Kinës kanë pasur rënie në muajin prill. Disa media perëndimore parashikojnë se do të jetë shumë e vështirë për Kinën të arrijë objektivin e rritjes ekonomike të këtij viti, por disa ekspertë besojnë se ekonomia kineze është shumë elastike, ritmet e mëkëmbjes së zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit janë të shpejta dhe qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për stabilizimin e rritjes. Bazat për ecurinë e mirë të ekonomisë kineze nuk kanë ndryshuar.

Studiuesi i Institutit për Studimet Politike, Ekonomike dhe Shoqërore të Italisë, Fabio Massimo Parenti, u shpreh: “Edhe pse ka pasur vështirësi, zhvillimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës është përmirësuar për një kohë të gjatë dhe ka një shkallë të caktuar elasticiteti. Të dhënat e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe sektorit të shërbimit janë të mira, dhe në të njëjtën kohë, tregtia ndërkombëtare vazhdon të rritet”.

Profesori i asociuar i historisë i Universitetit Kombëtar të Kievit, Volodymyr Urusov, u shpreh:

“Kina ka një sistem shumë të plotë mbarëindustrial dhe kapacitet të fortë furnizimi në sektorin e prodhimit. Edhe pse epidemia ka ndikuar negativisht në funksionimin e ekonomisë kineze, në përgjithësi ajo ka ruajtur një prirje të qëndrueshme pozitive në perspektivë afatgjatë.”

Pak ditë më parë, Këshilli i Shtetit i Kinës shpalli një paketë të re masash për stabilizimin e ekonomisë, duke përfshirë 33 pika në 6 sektorë, si politikat fiskale dhe të lidhura me to, politikat financiare, stabilizimin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit, nxitjen e konsumit dhe investimeve efektive, sigurinë energjetike dhe garantimin e jetesës bazë të njerëzve, në përpjekje për ta kthyer ekonominë në normalitet dhe për të siguruar që funksionimi i saj të jetë brenda një intervali të arsyeshëm.

Marsela Musabelliu është drejtorja ekzekutive e Institutit Shqiptar të Studimeve të Globalizimit. Ajo vuri në dukje: “Qeveria kineze ka marrë masa të shumta për të ofruar mbështetje të fortë për rimëkëmbjen ekonomike dhe ka mbështetur zhvillimin e tregut të brendshëm përmes politikave të tilla si lehtësimi i taksave dhe rritja e investimeve. Banka Popullore e Kinës e ka vendosur rritjen e qëndrueshme në një pozicion më të spikatur dhe ka përdorur mjete të reja dhe proaktive politikash për të ulur vazhdimisht koston e financimit social”.

Ndërsa Fabio Massimo Parenti u shpreh: “Për të arritur një mëkëmbje të plotë në një periudhë afatshkurtër, është e nevojshme të përshpejtohet zbatimi i politikave makroekonomike që qeveria kineze ka filluar të zbatojë dhe të merren masa të tilla si ulja e taksave, rifinancimi i korporatave dhe mbështetja për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”.

Përveç kësaj, Kina ka përshpejtuar edhe ndërtimin e një tregu të madh kombëtar të integruar, duke shmangur mbrojtjen lokale e segmentimin e tregut dhe duke promovuar fluksin e lirshëm të faktorëve dhe burimeve të mallrave në një shkallë më të madhe.

Sipas Marsela Musabelliut, nga ana e kërkesës, Kina ndoshta do të ketë njëfarë rënieje, por falë zbatimit të konceptit të zhvillimit me dy qarkullime, kërkesa e brendshme është në lulëzim dhe janë në zbatim politikat përkatëse.

Ndërsa Vicentiu Gheorghe u shpreh: “Kina po përshpejton ndërtimin e një tregu të unifikuar kombëtar. Ajo shikon gjithashtu botën, thith burimet globale me cilësi të lartë dhe forcon më tej mekanizmin e promovimit të ndërsjellë të ‘dy qarkullimeve{ për të arritur një nivel më të lartë hapjeje.

Ish-drejtori për çështjet europiane dhe ndërkombëtare i shtetit Hessen të Gjermanisë, Michael Borchmann vuri në dukje: “Presidenti i Forumit Botëror Ekonomik ka përmendur kontributin gjigant të ekonomisë kineze për ekonominë botërore. Ky kontribut do të vazhdojë, sepse Kina me siguri do të mposhtë vështirësitë e tanishme. Jam i mendimit që bota e sotme ka nevojë më urgjente se kurrë për Kinën si bazë stabilizuese”.