Foto nga VCG

Nga 22 deri më 28 maj do të zhvillohet Asambleja e 75-të Botërore e Shëndetësisë (ABSh). Autoritetet tajvaneze shprehën pakënaqësinë e tyre për mosmarrjen e ftesës për të marrë pjesë në këtë asamble. Lidhur me këtë, shumë vende e kanë përkrahur vendimin e qeverisë kineze për të mos pranuar që rajoni i Tajvanit të Kinës të ftohet në ABSh.

Të shtunën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u shpreh në një konferencë për shtypin se në botë ka vetëm një Kinë dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson gjithë Kinën. Tajvani është pjesë e pandarë e territorit të Kinës dhe pjesëmarrja e tij në veprimtaritë e organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duhet të trajtohet sipas parimit të “Një Kine”. Ky parim është përcaktuar në rezolutën nr. 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në rezolutën nr. 25.1 të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë.

Pasi Partia Demokratike Progresive e Tajvanit mori pushtetin, ajo nguli këmbë në qëndrimin përçarës të "pavarësisë së Tajvanit" dhe nuk e njeh "Konsensusin e vitit 1992" që mishëron parimin e “Një Kine”, kështu që nuk ekziston më baza politike për pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë.

Qeveria qendrore kineze i kushton rëndësi të madhe shëndetit të bashkatdhetarëve tajvanezë dhe e ka trajtuar siç duhet pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në çështjet shëndetësore globale sipas parimit të “Një Kine”. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, qeveria qendrore e ka njoftuar rajonin e Tajvanit për gjendjen epidemike rreth 400 herë. Vitin e kaluar, qeveria qendrore miratoi që 47 ekspertë shëndetësorë tajvanezë të marrin pjesë në veprimtaritë përkatëse të OBSh-së. Rajoni i Tajvanit ka marrë shumë herë njoftime mbi epideminë të bëra nga Sekretariati i OBSh-së.

Për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë e vet territoriale, Kina nuk e lejoi rajonin e Tajvanit të marrë pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë të këtij viti. Ky vendim ka fituar përkrahjen dhe mirëkuptimin e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare. Deri tani rreth 90 vende i kanë dërguar letër OBSh-së për të shprehur qëndrimin e tyre në përkrahje të parimit të “Një Kine” dhe për të kundërshtuar pjesëmarrjen së Tajvanit në ABSh. Kjo tregon përsëri se parimi i “Një Kine” është një konsensus i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare. (Fani/Artan)