Më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, u hap ekspozita artistike e punimeve në gdhendje të Huang Yongyu-së.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur 78 vepra në gdhendje nga Huang Yongyu, të cilat janë krijuar në periudhën e viteve ‘40 – ’90 të shekullit të kaluar. Ndër to përfshihen gdhendje nga veprat klasike letrare, portrete dhe një sërë punimesh që tregojnë zhvillimin e Kinës së Re.

Në mes të viteve ’50 të shekullit të kaluar, Huang Yongyu krijoi në fshatin Eshaoyi të provincës Yunnan veprën e njohur “Ashima”, që tregon emocionet dhe karakteristikat e kombësive vendore. Kjo është vepra që i ka dhënë një vend të dalluar z. Huang Yongyu në historinë e punimeve me gdhendje.

“Ashima” është vepra hapëse e një grupi gdhendjesh. Në të Huang Yongyu pasqyron portretin në profil të protagonistes, Ashimasë, duke përdorur ngjyra të larmishme që tregojnë veçantinë e kombësisë sani. Kjo vepër i ka sjellë famën Huang Yongyu-së dhe në të, shikuesit mund të ndiejnë bukurinë poetike, me kontrastin e dukshëm mes ngjyrave të pasura dhe konturet e thjeshta të fytyrës së Ashimasë.

Huang Yongyu, që është 98 vjeç, ka lindur në Fenghuang të provincës Hunan. Ai ka përvojë të pasur dhe e ka ushtruar veprimtarinë e vet në shumë fusha, duke pasur arritje të jashtëzakonshme në art dhe letërsi. Z. Huang e ka filluar gdhendjen qysh nga fëmijëria dhe është marrë me këtë art për mbi 80 vjet. (Jiang Lei)