Shkencëtarët kinezë kanë gjetur prova të reja që në Mars ka pasur ujë në të kaluarën dhe se ka tani minerale të hidratuara, të cilat mund të shfrytëzohen gjatë misioneve të ardhshme me astronautë në “planetin e kuq”.

Sipas studimit të botuar të enjten në revistën “Science Advances”, një i ashtuquajtur “pellg ndikimi” në Mars përmbante ujë në formë të lëngshme gjatë epokës amazoniane, epokës më të fundit gjeologjike të planetit.

Ky zbulim i shtohet një numri në rritje shenjash se uji në formë të lëngshme mund të ketë qëndruar shumë më gjatë në Mars sesa mendohej më parë.

Studimi tregon gjithashtu që në Mars ka rezerva të konsiderueshme uji në formën e mineraleve të hidratuara dhe ndoshta akull nëntokësor.

Studiuesit, të udhëhequr nga ata të Qendrës Kombëtare të Shkencave Hapësinore pranë Akademisë Kineze të Shkencave, përdorën të dhënat e mbledhura nga roveri kinez i Marsit “Zhurong” mbi karakteristikat sedimentare dhe minerale të pjesës jugore të Utopia Planitia-s, një fushë e madhe në hemisferën veriore të Marsit.

Ata i interpretuan shkëmbinjtë me ngjyra të ndezura të regjistruara nga kamera e “Zhurong”-ut si një shtresë "durikrusti" e gdhendur nga një sasi e konsiderueshme uji në formë të lëngshme, ndoshta ujë nëntokësor në rritje ose akull nëntokësor i shkrirë.