Presidenti kinez Xi Jinping nxiti drejtimin dhe masa rregullatore të mëtejshme kundër "zgjerimit të çrregullt të kapitaleve", duke theksuar nevojën për një mbikëqyrje më të mirë të tregut dhe konkurrencë të ndershme për të tëra llojet e kapitaleve që hyjnë në tregun e vendit.

Foto:VCG

Foto:VCG

"Kapitali nga natyra synon fitimin dhe, nëse nuk rregullohet e nuk kufizohet, mund të sjellë dëme të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik e shoqëror", tha Xi Jinping-u, që është gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK).

Duke folur në një sesion studimi në grup të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së të premten pasdite, kreu i shtetit i Kinës bëri thirrje megjithatë për ta shfrytëzuar plotësisht rolin pozitiv të kapitalit. "Kapitali është një forcë e rëndësishme për të promovuar faktorët shoqërorë të prodhimit," theksoi ai.

Presidenti Xi kërkoi përpjekje për të rregulluar dhe drejtuar zhvillimin e shëndetshëm të kapitaleve në Kinë në përputhje me ligjin, duke synuar një model të ri ekonomik me një nivel më të lartë hapjeje.

"Ne duhet të sigurojmë që të gjitha llojet e kapitaleve të kenë mundësi të barabarta, trajtim të drejtë dhe konkurrencë të rregullt," vuri në dukje ai.

Shangai(Foto:VCG)

Shangai(Foto:VCG)

Presidenti i Kinës bëri thirrje gjithashtu për vazhdimin e hapjes ndaj botës së jashtme, duke shprehur shpresën për "tërheqjen e sa më shumë kapitaleve të huaja" për të investuar në Kinë me "një mjedis të mirë tregu". Kreu i shtetit kinez inkurajoi gjithashtu kompanitë kineze të bëhen globale.

Duhet të vendosen "semaforë" për të rregulluar e drejtuar zhvillimin e kapitalit, tha presidenti Xi në mbledhje, gjë që sipas tij kërkon në thelb një kuadër ligjor me sistem të mirëkrijuar, logjikë të qartë e drejtim të plotë. Ai kërkoi "një kontroll të rreptë" për ata që shpresojnë të hyjnë në treg, duke kërkuar “parime shkencore dhe saktësi”.

Z. Xi bëri thirrje gjithashtu për një zbatim më të fortë të ligjit mbikëqyrës kundër monopolit e konkurrencës së pandershme. Vitin e kaluar, rreth dhjetë kompani, duke përfshirë gjigantin e tregtisë elektronike “Alibaba”, konglomeratin e teknologjisë “Tencent” dhe kompaninë e shërbimeve të internetit “Baidu”, u penalizuan për shkeljen e ligjit antimonopol. Për të forcuar mbikëqyrjen, organet rregullatore në nivel vendor duhet të rrisin "parashikueshmërinë e zhdërvjelltësinë" ndaj rreziqeve të mundshme, shtoi presidenti Xi.(Artan)