Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të martën për përpjekje të gjithanshme për të forcuar ndërtimin e një sistemi modern të infrastrukturës.

Porti Yantian, Shenzhen(Foto:VCG)

Porti Yantian, Shenzhen(Foto:VCG)

Xi i tha këto në mbledhjen e 11-të të Komitetit Qendror për Çështjet Financiare dhe Ekonomike që kryesohet prej tij.

Kina do të forcojë ndërtimin e infrastrukturës së bazuar në rrjet në fusha të tilla si transporti, energjetika dhe adminsitrimi i burimeve ujore, duke bërë përpjekje për të përmirësuar efikasitetin, u theksua në mbledhje. Aty u kërkua gjithashtu të përmirësohet planifikimi i rrugëve ujore dhe ndërtimi i porteve bregdetare dhe të brendshme, dhe të ngrihet niveli i objekteve të transportit ujor në mbarë vendin, ndërkohë që duhet të zhvillohet një rrjet inteligjent, të ndërtohen një varg bazash të reja energjetike të gjelbra e me lëshim të ulët karboni, si dhe të rregullohet më tej rrjeti i naftësjellësve dhe gazsjellësve.

Gjithashtu, duhet të bëhen përpjekje për forcimin e ndërtimit infrastrukturor për ngritjen e nivelit industrial në informacion, teknologji shkencore dhe logjistikë, si dhe në ndërtimin e objekteve për një brez të ri të superkompjuterave, informatikës cloud, platformave të inteligjencës artificiale dhe rrjeteve të brezit të gjerë.

Shangai(Foto:VCG)

Shangai(Foto:VCG)

Në mbledhje u vu në dukje gjithashtu që në mbarë vendin do të ndërtohen një numër aeroportesh rajonale, të përgjithshme e të transportit të mallrave , duke kërkuar përpjekje për të promovuar integrimin e transportit të aglomerateve urbane, ndërtimin e rrjeteve hekurudhore ndërqytetëse të përshtatshme e efikase dhe zhvillimin e hekurudhave urbane dhe të tranzitit hekurudhor urban.

Në lidhje me rritjen e mbështetjes financiare për ndërtimin infrastrukturor, në mbledhje u kërkua zgjerimi i kanaleve të financimit dhe inkurajimi i pjesëmarrjes së kapitalit shoqëror në financimin dhe funksionimin e infrastrukturës urbane.(Artan)