Foto nga VCG

Supermarketet e Pekinit po shtojnë inventarin e tyre, teksa banorët grumbullojnë produkte ushqimore në pritje të shtrëngimit të masave të kontrollit ndaj COVID-19.

Kryeqyteti kinez ka pasur një rigjallërim të rasteve të COVID-19, shumica e të cilave në distriktin Chaoyang. Autoritetet e Pekinit urdhëruan testime masive për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në këtë distrikt dhe vendosën shkallë të ndryshme menaxhimi të mbyllur në më shumë se 20 zona banimi për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Në Pekin ka pasur gjithsej 41 raste COVID-19 deri në pasditen e së dielës. Autoritetet vendore thanë të shtunën se të dhënat paraprake tregojnë që virusi ishte përhapur në qytet për një javë.

"Wumart", një zinxhir i madh supermarketesh në Kinë, e ka rritur inventarin me 1.5-2 herë të vëllimit të shitjeve të tij ditore për të siguruar furnizim të mjaftueshëm të produkteve ushqimore si mishi, vezët dhe perimet, raportoi "Beijing News". Ndërsa "Carrefour"-i deklaroi për gazetën që do të rrisë blerjen e mallrave me më shumë se trefishin e vëllimit të zakonshëm.

"Beijing News" shtoi se aplikacionet e dërgimit të ushqimeve, si "Hema Fresh", "Dingdong" e "Missfresh", e kanë rritur stokun e produkteve të tyre të përdorimit të përditshëm me 1.5-3 herë më shumë sesa sasia e mëparshme.

Zhao Weidong, zëvendësdrejtor i Zyrës së Tregtisë të Bashkisë së Pekinit, e siguroi publikun se furnizimi i produkteve të përdorimit të përditshëm në tregjet vendore mjafton për të plotësuar transaksionet normale. (Artan/Fani)