Përhapja e epidemisë në lagjet e Shangait është kontrolluar në mënyrë efektive dhe distriktet Jinshan dhe Chongming kanë ndërprerë të gjithë zinxhirët e transmetimit të COVID-19 në lagje, njoftoi të mërkurën komisioni bashkiak i shëndetësisë.

"Numri i nëndistrikteve dhe qytezave që raportojnë më shumë se 100 raste të reja ditore ka rënë për tre ditë rresht," tha Wu Qianyu, një zyrtar i komisionit në një konferencë shtypi të mërkurën.

Në Shangai u raportuan të martën 2 494 raste të konfirmuara të COVID-19 me burim të brendshëm transmetimi dhe 16 407 bartës lokalë asimptomatikë, sipas komisionit të shëndetësisë.

Po të martën, shtatë vdekje nga COVID-19 u raportuan në Shangai, tha Wu, duke shtuar se dy nga të vdekurit vuanin nga kanceri i avancuar i mushkërive dhe sëmundje të tjera, ndërsa pesë të tjerë kishin gjendje serioze shëndetësore, si sëmundje koronare të zemrës dhe diabeti.

Metropoli me 25 milionë banorë, i konsideruar si një nga qytetet më të zhvilluara dhe qendrat financiare të Kinës, është goditur rëndë nga shpërthimi i fundit i COVID-19 në Kinë. Infeksionet ditore janë shtuar nga disa dhjetëra në më shumë se 25 000 raste që nga marsi, pavarësisht masave kufizuese në rritje. (Artan/Fani)