Të mërkurën Grupi Mediatik i Kinës (CMG) transmetoi emisionin e posaçëm me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të OKB-së "Fillon mësimi", gjë që shënon nisjen e veprimtarisë "Gjuha kineze magjike" të CMG-së.

Kjo veprimtari organizohet bashkërisht nga CMG-ja, Qendra për Edukimin e Bashkëpunimin Gjuhësor dhe uebsajti më i madh ndërkombëtar i mësimit të gjuhës kineze në botë "Chinese Plus". Në vitin 2010, zyra e shtypit e OKB-së shpalli nisjen e Ditës së Gjuhës të OKB-së për të promovuar shumëllojshmërinë e gjuhëve e të kulturave, duke nxitur përdorimin e barabartë të gjashtë gjuhëve zyrtare të OKB-së. Dita e Gjuhës Kineze e OKB-së u përcaktua në ditën e parë të "Shiut të drithit", një nga 24 fazat stinore të Kinës, në përkujtim të "paraardhësit të hieroglifeve kineze", Cang Jie.

Emisioni i posaçëm "Fillon mësimi" ftoi ekspertë të gjuhës e kulturës kineze dhe 100 adhurues së gjuhës kineze nga 42 vende të botës për të shkëmbyer mendime mbi larminë gjuhësore e kulturore, "modën e mësimit të gjuhës kineze" në glob, mësimin ndërkombëtar të gjuhës kineze etj., për të shijuar magjinë e kulturës kineze.

Gjatë veprimtarisë "Gjuha kineze magjike" do të transmetohen gjithashtu shumë emisione lidhur me hieroglifet kineze, poemat, pikturat, shkrimet etj. nëpërmjet uebsajteve e mediave sociale brenda e jashtë vendit. (Fani/Artan)