Foto nga VCG

Përhapja e fundit e COVID-19 në qendrën financiare të Kinës Shangai është ende në fazën e një rritjeje të shpejtë, me më shumë se 10 000 infeksione ditore të regjistruara në qytet në tetë ditët e fundit, tha një zyrtar i lartë shëndetësor në një konferencë shtypi në Pekin të martën.

Lei Zhenglong, nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, bëri të ditur se numri i infektimeve të reja në Shangai pritet të mbetet i lartë në ditët e ardhshme, pasi transmetimi i virusit në nivel lagjeje nuk është ndërprerë në mënyrë efektive dhe është përhapur edhe në disa krahina e qytete të tjera.

Provinca Jilin e Kinës Verilindore, një rajon tjetër i goditur rëndë nga vala e fundit e variantit "Omicron", ka një prirje të rënies së rasteve të reja, që janë ulur nën 1 000 gjatë tre ditëve të fundit, tha Lei, duke paralajmëruar se shifra mbetet përsëri mjaft e lartë.

Sipas tij, nga 1 marsi deri më 11 prill, gjithsej 325 303 infeksione të reja të transmetuara së brendshmi u raportuan në 30 rajone në nivel province në tërë Kinën, dhe gjendja e përgjithshme është "e zymtë dhe e ndërlikuar".

Mi Feng, zëdhënësi i Komisioni Kombëtar të Shëndetësisë, tha se Kina është në një moment kritik në betejën kundër COVID-19, që ende po përhapet.

Të dy zyrtarët u shprehën se Kina do t'i përmbahet strategjisë "zero COVID dinamike", duke theksuar rëndësinë e masave të reagimit të shpejtë, përfshirë testimet e acidit nukleik, ndërtimin e objekteve të karantinës dhe trajtimin e të infektuarve për të ndërprerë përhapjen e virusit sa më shpejt të jetë e mundur.

Mi Feng bëri thirrje gjithashtu për përpjekje për të garantuar furnizimin me produkte të përdorimit të përditshëm dhe për të plotësuar nevojat e banorëze për mjekim dhe trajtim.

Ndërsa Lei bëri të ditur se, deri të hënën, mbi 1.28 miliardë njerëz në Kinë, ose 90.8 për qind e popullsisë së saj, kanë bërë të paktën një dozë të vaksinës së COVID-19, ndër të cilët mbi 1.24 miliardë janë vaksinuar plotësisht, çka përbën 88.3 për qind të popullsisë së përgjithshme, dhe 719.3 milionë kanë bërë edhe dozën përforcuese. (Artan/Fani)