Sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në tremujorin e katërt të vitit 2021 vëllimi i përgjithshëm i rezervave valutore në monedhën kineze RMB arriti në 336.1 miliardë dollarë amerikanë, duke zënë 2.79 për qind të rezervave valutore të mbarë globit.

FMN-ja publikoi ditët e fundit të dhënat mbi "Përbërjen e monedhave të rezervave valutore zyrtare", sipas të cilave përqindja e RMB-së u ngrit pak nga 2.66 për qind që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2021. Deri në fund të vitit të kaluar, RMB-ja radhitej në vendin e pestë, sipas të dhënave të FMN-së.

Ekspertët e kësaj organizate mendojnë se shkaku i rritjes së përqindjes së RMB-së është ngritja e ekonomisë kineze dhe ndërkombëtarizimi i kësaj monedhe. Ata u shprehën që, me përshkallizimin e sanksioneve të ndërsjella midis Rusisë e vendeve perëndimore, si edhe turbullirat në financat globale, pesha specifike e RMB-së kundrejt rezervave valutore globale do të shtohet më tej.

Nga të dhënat e FMN-së del gjithashtu se mbi gjysma e bankave qendrore në botë mbajnë rezerva valutore në USD, megjithatë, forca tërheqëse e monedhës amerikane është dobësuar. Në vitin 2007, afro 70 për qind e bankave qendrore në botë kishin rezerva valutore në USD, por në tremujorin e katërt të vitit 2021, shifra u ul në 58.8 %. (Wang Lei/ Artan)