Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha se vendi i tij shpreson që Rusia dhe Ukraina do të vazhdojnë bisedimet e paqes për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.

Gjatë një bisedë telefonike të hënën me homologun ukrainas Dmytro Kuleba, e dyta mes tyre që pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, Wang Yi tha se e vetmja dëshirë e Kinës është paqja në Ukrainë.

Wang theksoi rëndësinë e nxjerrjes së mësimeve nga kriza dhe të gjetjes së një rruge për ruajtjen e sigurisë afatgjatë në Evropë. Ai u bëri thirrje palëve të zhvillojnë dialog të barabartë dhe të krijojnë një kornizë të sigurisë të ekuilibruar, të efektshme dhe të vazhdueshme në Evropë, në bazë të parimit të sigurisë së pandashme.

Kuleba e njohu Wang-un me situatën e konfliktit ruso-ukrainas, duke thënë se Kina është një vend i madh që ka propozuar Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore dhe luan një rol kyç e aktiv në mbrojtjen e paqes.

Ai ishte në një mendje me pikëpamjet e palës kineze mbi problemin e Ukrainës dhe e falënderoi Kinën për ndihmat humanitare ndaj vendit të tij.

Kryediplomati ukrainas shtoi se Kievi dëshiron të ruajë shkëmbimet me Pekinin, dhe shprehu shpresën se Kina do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në arritjen e një armëpushim në vendin e tij.

Ukraina do të vijojë bisedimet e paqes me Rusinë për të gjetur rrugëzgjidhje të vazhueshme, theksoi Kuleba, duke shtuar se Ukraina shpreson të bëhet një derë për në Evropë.

Kina nuk synon interesa vetjake gjeopolitike lidhur me Ukrainën, nuk mban një qëndrim mospërfillës mbi konfliktin dhe sigurisht që nuk e nxit atë, vuri në dukje kreu i diplomacisë kineze. (Wang Lei/ Artan)