Ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, mori pjesë të mërkurën në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Universitetit të Financës dhe të Ekonomisë të Jiangxi-së dhe universitetit shqiptar “Epoka”.

Në fjalimin e rastit, ambasadori Zhou u shpreh se arsimi ka të bëjë me të ardhmen e një vendi e të një kombi dhe shkollat e larta janë vatra të kultivimit të talenteve. Kina dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë bashkëpunimi arsimor, i cili ka nisur me dërgimin e ndërsjellë të studentëve që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. Vitet e fundit, zbatimi i nismës “Një brez, një rrugë” dhe zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindor (EQL) kanë nxitur fort edhe bashkëpunimin arsimor ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë. Kur studentët kinezë ndjekin studimet në Shqipëri dhe studentët shqiptarë studiojnë në Kinë, ata jo vetëm zotërojnë njohuri dhe aftësi, por edhe forcojnë më tej njohjen mes të dy popujve dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendeve të tyre.

Sipas përfaqësuesit të diplomacisë kineze në Shqipëri, Universiteti i Financës dhe i Ekonomisë i Jiangxi-së ka një histori të gjatë dhe emër të mirë në studimet dhe mësimdhënien në degët e ekonomisë dhe financës, ndërsa “Epoka” është një ndër universitetet më të njohura private të Shqipërisë, nga i cili kanë dalë shumë talente. Ai shprehu shpresën që, duke shfrytëzuar nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit, të dy këto shkolla të larta do të thellojnë më tej bashkëpunimin dhe do të realizojnë sa më parë vizita dhe shkëmbime të drejtpërdrejta pas përfundimit të pandemisë.

Në ceremoni, rektori i Universitetit të Financës dhe të Ekonomisë të Jiangxi-së Deng Hui dhe rektori i universitetit “Epoka” Ahmet Öztaş mbajtën fjalime, duke paraqitur gjendjen e përgjithshme, epërsitë studimore dhe rezultatet e shkëmbimeve të huaja të shkollave të tyre. Ata shprehën po ashtu gatshmërinë për të thelluar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kuadrin e nismës “Një brez, një rrugë” dhe të mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së, duke dhënë ndihmesë për përgatitjen e më shumë talenteve dhe forcimin e miqësisë kino-shqiptare.

Sipas memorandumit, të dy universitetet do të nxitin bashkëpunimin në fusha si vizitat e ndërsjella të stafit akademik e të studentëve, shkëmbimet akademike, bashkëpunimi studimor, përgatitja e talenteve dhe organizimi i konferencave shkencore.