Autoritetet kineze po intensifikojnë përpjekjet për të mbjellë pemë në mbarë vendin, ndërsa përpiqen të përmbushin premtimin për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit deri në vitin 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit brenda 2060-s.

Presidenti kinez Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë të lartë po udhëheqin punën për pyllëzimin. Gjatë pjesëmarrjes në një veprimtari të mbjelljes së pemëve në Pekin të mërkurën, z. Xi tha se pyjet mund të kursejnë ujin, të sjellin përfitime ekonomike, të rritin prodhimin e drithërave dhe të thithin e rezervojnë karbonin.

Vitet e fundit, Kina është angazhuar për të arritur lëshimin maksimal të dioksidit të karbonit deri më 2030 dhe asnjanësimin e karbonit përpara fundit të vitit 2060. Po ashtu, do të nxitet transformimi i gjelbër i zhvillimit shoqëror e ekonomik, sipas Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) dhe Objektivave Afatgjatë deri në vitin 2035, plani më i fundit i zhvillimit të vendit.

Pyllëzimi luan një rol vendimtar në shndërrimin e këtyre ideve në realitet, pasi pyjet e kullotat thithin dhe ruajnë dioksidin e karbonit nga atmosfera.

Mbulimi me pyje dhe rezerva pyjore në Kinë kanë ruajtur rritjen në 30 vjetët e fundit dhe Kina ka realizuar rritjen më të madhe të burimeve pyjore ndër të gjitha vendet, theksohet në librin e bardhë për ruajtjen e biodiversitetit të publikuar tetorin e kaluar.

Në fund të vitit 2020, sipërfaqja pyjore e Kinës ishte 220 milionë hektarë, me një shkallë mbulimi me pyje 23 për qind dhe një ruajtje të karbonit pyjor prej 9.19 miliardë tonësh, bëhet e ditur në librin e bardhë. (Artan/Fani)