Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi drejtoi të enjten në Tunxi të provincës Anhui mbledhjen e tretë të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit. Mbledhja publikoi "Deklaratën e përbashkët" dhe "Nismën e Tunxi-së të vendeve fqinje të Afganistanit për mbështetjen e rindërtimit ekonomik dhe zhvillimin e bashkëpunimit lidhur me Afganistanin". Mbledhja shpalli gjithashtu nisjen e sistemit të takimit të rregullt të të dërguarve të posaçëm të Afganistanit dhe krijimin e tre grupeve të punës, përkatësisht politike e diplomatike, ekonomike e humanitare dhe të sigurisë e stabilitetit.

Pjesëmarrësit në mbledhje ishin në një mendje për forcimin e bashkëpunimit për ta ndihmuar Afganistanin të realizojë paqen e rindërtimin ekonomik dhe theksuan se ShBA-ja e NATO-ja duhet të mbajnë përgjegjësinë kryesore për rindërtimin e Afganistanit, duke i kthyer pasuritë popullit afgan.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbajti një videofjalim në këtë mbledhje, ku vlerësoi lart përkrahjen bujare të Kinës dhe të vendeve fqinje ndaj popullit afgan, duke propozuar të forcohen ndihma humanitare, rimëkëmbja ekonomike dhe bashkëpunimi lidhur me Afganistanin.

Pas mbledhjes, kryediplomati kinez Wang Yi i njohu gazetarët me konsensusin e arritur në mbledhje, duke përfshirë respektimin e pavarësisë, të sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Afganistanit, përkrahjen ndaj popullit afgan për zgjedhjen vetë të fatit të vendit dhe të rrugës së zhvillimit, arritjen e pajtimit kombëtar në Afganistan nëpërmjet konsultimeve, goditjen ndaj organizatave terroriste, si Shteti Islamik, Lëvizja Islamike e Turkistanit Lindor etj. nga pala afgane, dhënien e ndihmës humanitare popullit afgan, përkrahjen për rindërtimin ekonomik dhe zhvillimin e Afganistanit, forcimin e ndërlidhjes rajonale, kundërshtimin e politizimit të ndihmës humanitare etj. (Fani/Artan)