Pjesa kryesore e operacionit të kërkim-shpëtimit pas rrëzimit të avionit të fluturimit MU5735 të kompanisë ajrore kineze "China Eastern Airlines" ka përfunduar, tha Zhu Tao, kreu i zyrës së sigurisë së aviacionit pranë Administratës së Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) në një konferencë shtypi të enjten.

Mbi 40 000 pjesë të mbetjeve të avionit u gjetën të mërkurën, bëri të ditur Zhu, duke shtuar se "shumica e pjesëve të mbetjeve janë transferuar në një vend depozitimi për klasifikim dhe shqyrtim të mëtejshëm".

Sipërfaqja e përgjithshme e kërkimit ka arritur në afro 10 milionë metra katrorë, shtoi ai.

Operacioni i kërkim-shpëtimit në shkallë të gjerë përfshiu 216 makina zjarrfikëse dhe 16 dronë.

Zhu Tao u shpreh se të dy regjistruesit e fluturimit të aeroplanit të rrëzuar, të njohur ndryshe si "kutitë e zeza", janë duke u deshifruar, dhe po kryhen analizat paraprake pas gjetjes dhe fotografimit të vendit të përplasjes, shpërndarjes së mbetjeve dhe shenjave të goditjes.

Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të aviacionit civil, brenda 30 ditëve pas rrëzimit do të hartohet një raport paraprak për aksidentin. "Pas përfundimit të të gjitha hetimeve do të bëhet publik raporti i plotë," njoftoi Zhu. (Artan/Fani)