Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi drejtoi të enjten mbledhjen e tretë shumëkombëshe për të diskutuar mbi krizën ekonomike dhe humanitare në Afganistan.

Kryediplomatët dhe përfaqësues të tjerë nga Pakistani, Irani, Rusia, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani shkëmbyen pikëpamje dhe bashkërenduan qëndrimet për promovimin e stabilitetit në Afganistan dhe për dhënien e ndihmës e të mbështetjes popullit afgan, thuhet në një deklaratë zyrtare të publikuar pas mbledhjes në qytetin Tunxi të provincës Anhui në Kinën Lindore.

Një mbledhje e posaçme e "trojkës së zgjeruar" do të zhvillohet me pjesëmarrjen e të dërguarve të posaçëm të Kinës, ShBA-së dhe Rusisë.

Mbledhja e së enjtes u zhvillua teksa Afganistani po vuan nga një krizë e thellë ekonomike, e përkeqësuar nga pakësimi në një masë të madhe i ndihmës ndërkombëtare pas marrjes së pushtetit nga talibanët.

Sipas të dhënave të OKB-së, uria akute ka prekur rreth 23 milionë afganë, ndërsa 95 % e popullsisë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.

Talibanët kanë kërkuar ndihmë, por procesi ka qenë i vështirë. Të mërkurën, Banka Botërore pezulloi katër projekte në Afganistan, pasi udhëheqësit talibanë anuluan një vendim lidhur me lejimin e vajzave të kthehen në shkollat e mesme publike. (Fani/Artan)