Të mërkurën, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi bisedime në Tunxi të provincës Anhui me homologun e tij rus Sergei Lavrov, që ndodhet në Kinë përtë marrë pjesë në mbledhjen e 3-të të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit.

Wang Yi tha në bisedime se marrëdhëniet kino-ruse i kanë qëndruar provës së re të ndryshimit të situatës ndërkombëtare dhe kanë ruajtur drejtimin e duhur të zhvillimit. Të dy vendet kanë forcuar më tej vullnetin për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Pala kineze dëshiron të punojë së bashku me palën ruse për t’i çuar marrëdhëniet kino-ruse në një nivel më të lartë sipas konsensusit të rëndësishëm të arritur nga liderët e të dy vendeve.

Sergei Lavrovi u shpreh se, në momentin kyç të zhvillimit të situatës ndërkombëtare, mbajtja e kontakteve strategjike ndërmjet liderëve të Rusisë e të Kinës ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të multipolarizimit global. Rusia dëshiron të punojë së bashku me Kinën për të vënë në jetë mendimet unanime të të dy liderëve, për të forcuar më tej bashkëpunimin strategjik në nivel të lartë e për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Në arenën ndërkombëtare dhe mekanizmat shumëpalësh, Moska dhe Pekini do të nxitin aktivisht procesin e multipolarizimit dhe do të kundërshtojnë hegjemonizmin dhe politikën e forcës, duke mbrojtur frymën e Kartës së OKB-së.

Kryediplomati rus e njohu homologun kinez me gjendjen e bisedimeve Rusi-Ukrainë. Ai u shpreh se Moska po bën përpjekje për të zbutur situatën e nderë dhe do të vazhdojë të zhvillojë bisedime me Kievin, duke ruajtur kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare.

Wang Yi u shpreh se situata ndërkombëtare ka hyrë në një periudhë të paqëndrueshme dhe bota po përballet me ndryshime të panjohura më parë. Kina e përkrah gjithmonë multipolarizimin global dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, e mbështet gjithmonë mbrojtjen e frymës së Kartës së OKB-së dhe të normave themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mban gjithmonë një qëndrim objektiv e të drejtë mbi çështjet ndërkombëtare. Problemi i Ukrainës ka sfond të ndërlikuar historik. Shpërthimi i krizës së Ukrainës është pasojë e kontradiktave afatgjata të sigurisë europiane, e mendësisë së Luftës së Ftohtë dhe e përballjes në blloqe. Në gjendjen e tanishme, Kina i përkrah Rusinë e Ukrainën të vazhdojnë bisedimet paqësore si edhe mbështet rezultatet pozitive të arritura në këto bisedime, zbutjen sa më parë të krizës dhe përpjekjet e Rusisë e të palëve të ndryshme për parandalimin e një krize të madhe humanitare. Palët e ndryshme duhet të nxjerrin mësime nga kriza e Ukrainës, t'i përgjigjen vëmendjes së arsyeshme të palëve të ndryshme për sigurinë mbi bazën e parimeve të respektimit të ndërsjellë dhe të sigurisë së pandashme, të ndërtojnë një strukturë të barabartë, të efektshme e të vazhdueshme të sigurisë europiane nëpërmjet dialogut, për të realizuar stabilitetin dhe paqen e përhershme në Europë.

Të dy kryediplomatët shkëmbyen gjithashtu mendime për çështjen e Gadishullit Korean, sistemin e BRICS-it, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, Konferencën mbi Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) etj. (Fani/Artan)