Foto nga VCG
Kina u ka dhënë viza hetuesve dhe këshilltarëve teknikë amerikanë për të ndihmuar në hetimin e rrëzimit të avionit "Boeing 737-800" të kompanisë "China Eastern Airlines", bëri të ditur të martën Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i ShBA-së (NTSB).
"Ekipi shpreson të niset këtë javë," tha NTSB-ja në një postim në "Twitter", duke shtuar se Kina gjithashtu ka dhënë viza për këshilltarët teknikë nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA), kompania "Boeing" dhe prodhuesja e motorëve të "737-800", CFM.
Sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, NTSB-ja ka të drejtë të marrë pjesë në hetim, meqë avioni është projektuar dhe prodhuar në Shtetet e Bashkuara.
Sidoqoftë, është ende e paqartë nëse ekipi amerikan duhet të karantinohet në Kinë sipas protokolleve të COVID-19, tha NTSB-ja, duke vënë në dukje se çështja është ende në diskutim, teksa në Kinë ka pasur një rritje të rasteve të koronavirusit.
Avioni "Boeing 737-800" u rrëzua në një zonë malore në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore më 21 mars, duke shkaktuar vdekjen e të 132 personave që gjendeshin në të.
Ekipet e kërkimit gjetën të dielën kutinë e dytë të zezë, regjistruesin e të dhënave të fluturimit, në vendin e rrëzimit. Deri më tani, të dyja kutitë e zeza janë gjetur dhe janë dërguar në Pekin për deshifrim dhe analizë. (Artan/Fani)