Foto nga VCG

Të martën, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi një videotakim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Josep Borrell Fontelles.

Gjatë takimit, Wang Yi u shpreh se Kina dhe BE-ja duhet të mbajnë kontakte të rregullta strategjike për të shtuar njohjen e ndërsjellë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin e konsensusin, duke përballuar së bashku sfidat globale.

Kreu i diplomacisë europiane tha nga ana e tij se BE-ja dhe Kina janë forca të rëndësishme strategjike në botë dhe shtylla të rimëkëmbjes ekonomike globale. Tani marrëdhëniet dypalëshe përballojnë disa probleme, por BE-ja po përpiqet t'i përmirësojë këto marrëdhënie. "Unë dua të ritheksoj se BE-ja i përmbahet politikës së 'një Kine' dhe të gjitha vendet anëtare të saj nuk do të shmangen dhe nuk duhet të shmangen nga ky qëndrim. BE-ja dhe Kina duhet të forcojnë njohjen e ndërsjellë dhe të shfaqin frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit," vuri në dukje z. Borrell.

Ai shtoi më tej se lufta në Ukrainë po vazhdon, duke i sjellë BE-së dhe globit ndikime të rënda. Pala europiane bën thirrje të realizohen sa më parë armëpushimi dhe hapja e korridoreve humanitare, të mos përdoren armë të shfarosjes në masë e të parandalohet shmangia nga sanksionet, si edhe shpreson që Kina të luajë një rol të rëndësishëm për nxitjen e paqes. Njëkohësisht, Borrell-i vuri në dukje që BE-ja nuk kërkon ndryshimin e sistemit politik të Rusisë, nuk dëshiron të shohë përshkallëzimin e situatës dhe kundërshton një Luftë të Ftohtë të re në çfarëdo forme.

Wang Yi u shpreh se Kina është e shqetësuar për vijimin e luftës në Ukrainë. Pala kineze mban qëndrimin e qartë të nxitjes së paqes dhe dialogut. Faktet kanë vërtetuar se mendësia e Luftës së Ftohtë nuk ka rrugëdalje në Europë dhe sanksionet ekstreme do të shkaktojnë vetëm dëme të ndërsjella, duke e ndërlikuar situatën. Kina dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palët e ndryshme për të nxitur pushimin sa më parë të konfliktit ruso-ukrainas dhe për rivendosjen e paqes në Europë. (Fani/Artan)