Gjigandi kinez i telekomunikacionit “Huawei” raportoi të hënën një rritje rekord të fitimeve në vitin 2021prej rreth 76 për qind, pavarësisht rënies së parë të të ardhurave që nga viti 2009, kur kompania filloi të publikonte fitimet.

Kompania njoftoi një fitim neto prej 113.7 miliardë juanësh (17.85 miliardë dollarë) në vitin e kaluar, ndërsa të ardhurat e saj të përgjithshme ranë me 28.5 për qind krahasuar me vitin 2020, duke arritur në 636.8 miliardë juanë, në kushtet e sanksioneve të ShBA-së dhe presionit të pandemisë.

Pavarësisht rënies së të ardhurave, “Huawei” ka një aftësi më të madhe për të siguruar fitime e për të krijuar flukse monetare, dhe është më shumë në gjendje të merret me pasiguritë, theksoi Meng Wanzhou, kryezyrtarja financiare e “Huawei”-t, në paraqitjen e saj të parë nëkatër vjetët e fundit në konferencën e shtypit lidhur me raportin vjetor të kompanisë.

Për shkak të raundeve të shumta të sanksioneve të ShBA-së, “Huawei” është përballur me sfida të zinxhirit të furnizimit, që kanë ushtruar trysni të ndjeshme mbi bizneset e smartfonave dhe kompjuterave personalë të kompanisë, duke çuar në rënie të të ardhurave, tha Meng.

Ndërkohë, shtoi ajo, nuk ka shumë kërkesa, pasi Kina e ka përfunduar infrastrukturën e saj 5G në vitin 2020.

Meng vuri në dukje edhe që, ashtu si kompanitë e tjera, “Huawei” ka qenë nën trysni nga pandemia. (Artan/Fani)