Foto nga VCG

Kina do të organizojë të mërkurën dhe të enjten mbledhjen e tretë të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit në qytetin Tunxi të provincës Anhui në Kinën Qendrore, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme kineze.

Zëdhënësi i kësaj ministrie Wang Wenbin u shpreh në një konferencë të rregullt për shtypin në Pekin se ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të kryesojë mbledhjen me homologët e vet ose me përfaqësuesit e tyre nga Pakistani, Irani, Rusia, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

Sipas zëdhënësit, mbledhja do të ndihmojë në arritjen e konsensusit ndërmjet vendeve fqinje për çështjen e Afganistanit dhe gjatë saj do të diskutohet si të promovohet stabiliteti në këtë vend dhe të mbështetet populli afgan.

Wang Wenbin shtoi se kryediplomati kinez do të zhvillojë gjithashtu një dialog me ministrin e Jashtëm në detyrë të qeverisë së përkohshme afgane Amir Khan Muttaqi, ku do të ftohen për të marrë pjesë edhe ministrat e jashtëm të Indonezisë dhe të Katarit.

Të enjten e kaluar ministri i Jashtëm kinez Wang Yi bëri një vizitë në Afganistan, vizita e tij e parë aty që nga ndryshimi i qeverisë në Afganistan në gusht të vitit 2021.

Gjatë bisedimeve me Muttaqi-n në Kabul, Wang Yi u shpreh se Kina nuk ka ndërhyrë kurrë në punët e brendshme të Afganistanit ose nuk ka kërkuar përfitime vetjake dhe sfera ndikimi në Afganistan. (Fani/Artan)