Videotelefonatë midis krerëve të shtetit të Kinës dhe të ShBA-së, 18 mars(Foto:Xinhua)

Videotelefonatë midis krerëve të shtetit të Kinës dhe të ShBA-së, 18 mars(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të punojnë bashkë me Kinën për t’i futur marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur dhe për të marrë përgjegjësitë e duhura ndërkombëtare të një vendi të madh, duke nxitur paqen dhe stabilitetin botëror.

Në një videotelefonatë me presidentin amerikan Joe Biden të premten, Xi përsëriti qëndrimin e Kinës për krizën në Ukrainë, duke vënë në dukje se detyra urgjente tani është të nxitet dialogu e negociatat për një armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës sa më parë.

Zgjidhja afatgjatë për çështjen e Ukrainës është që vendet e mëdha duhet të respektojnë njëri-tjetrin, të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë, të heqin dorë nga përballja midis blloqeve dhe të ndërtojnë një arkitekturë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë globale dhe rajonale, shtoi ai.

Gjatë bisedës, Biden e siguroi Xi Jinping-un se ShBA-ja nuk ka si qëllim të nisë një Luftë të Ftohtë të re, nuk kërkon të ndryshojë sistemin e Kinës ose të rigjallërojë aleancat e saj kundër Kinës, nuk mbështet "pavarësinë e Tajvanit" dhe nuk synon një konflikt me Kinën.

Ai tha se Uashingtoni është i gatshëm për dialog të sinqertë me Pekinin, mbështet politikën e “Një Kine” dhe dëshiron të menaxhojë në mënyrë efektive konkurrencën dhe dallimet me Kinën, për të çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm të lidhjeve dypalëshe.

Kreu i shtetit kinez theksoi se ai i vlerëson seriozisht premtimet e presidentit Biden. Duke vënë në dukje se marrëdhëniet kino-amerikane po hasin gjithnjë e më shumë sfida, ai theksoi se është jashtëzakonisht e rrezikshme që disa politikanë amerikanë dërgojnë sinjale të gabuara për forcat e "pavarësisë së Tajvanit".

Presidenti kinez u kërkoi Shteteve të Bashkuara ta vlerësojnë seriozisht çështjen e Tajvanit, duke thënë që nëse kjo çështje nuk trajtohet siç duhet, lidhjet dypalëshe do të minohen. Pala amerikane ka bërë keqllogaritje e gjykime të gabuara lidhur me qëllimet strategjike të Kinës, shtoi ai.

Presidenti kinez Xi Jinping në videotelefonatën me homologun amerikan Joe Biden, 18 mars(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping në videotelefonatën me homologun amerikan Joe Biden, 18 mars(Foto:Xinhua)

Kyçi i marrëdhënieve Kinë-ShBA është të menaxhohen siç duhet dallimet mes tyre, tha presidenti Xi, duke shtuar se zhvillimi i qëndrueshëm i këtyre marrëdhënieve është në interes të të dy vendeve.

Duke folur për situatën në Ukrainë, presidenti Xi tha se kriza në Ukrainë nuk është diçka që Kina dëshiron të shohë. Sipas tij, kriza tregon sërish se konflikti dhe përballja mes vendeve nuk u shërbejnë interesave të askujt, ndërsa paqja dhe siguria janë ato që bashkësia ndërkombëtare çmon më shumë.

Sipas tij, të gjitha palët duhet të mbështesin bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. ShBA-ja dhe NATO-ja gjithashtu duhet të zhvillojnë dialog me Rusinë për të zgjidhur thelbin e krizës në Ukrainë dhe për të zbutur shqetësimet e sigurisë si të Rusisë, ashtu edhe të Ukrainës.

Xi paralajmëroi kundër ushtrimit të sanksioneve të gjithanshme e jodiskriminuese, duke thënë që, nëse përshkallëzohen më tej, ato do të shkaktojnë një krizë serioze në zinxhirët globalë të tregtisë, financave, energjisë, ushqimit dhe industrisë, do të dëmtojnë mirëqenien e njerëzve dhe do të përkeqësojnë ngadalësimin e ekonomisë botërore.

Pekini ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të nxitur paqen dhe do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, tha Xi. Ai vuri në dukje se Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën dhe vendet e tjera të prekura.

Presidenti amerikan, nga ana e tij, e informoi homologun e vet kinez mbi qëndrimin e ShBA-së për krizën në Ukrainë, duke thënë se Uashingtoni është i gatshëm të komunikojë me Pekinin për këtë çështje, për të parandaluar përshkallëzimin e krizës.

Të dy presidentët thanë se videotelefonata ishte konstruktive dhe u kërkuan ekipeve të punës të të dy vendeve që të ndërmarrin veprime konkrete për t’i rikthyer lidhjet kino-amerikane në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të bëjnë përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës në Ukrainë.