Foto:Xinhua

Kryeministri kinez Li Keqiang mbajti një konferencë virtuale shtypi në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin të premten, pas përfundimit të sesionit të pestë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore.

Rritja e qëndrueshme ekonomike mbi një bazë të lartë tregon përparim, theksoi kryeministri Li. Sipas tij, rritja prej 5.5 për qind mbi bazën e një GDP-je më shumë se 110 trilionë juanë (17.4 trilionë dollarë) në Kinë sot do të ishte e barabartë me madhësinë e një ekonomie të mesme.

Kina do të rrisë shpenzimet qeveritare dhe do të zgjasë uljet e taksave dhe tarifave për të mundësuar rritje të qëndrueshme në vitin 2022, tha ai, duke shtuar se ulja e tarifave dhe taksave është mënyra më e drejtpërdrejtë, më e drejtë dhe më e efektshme për të ndihmuar bizneset.

Kryeministri tha se vlera e zbritjes së taksave dhe e uljes së tarifave do të arrijë në 2.5 trilionë juanë (400 miliardë dollarë), nga të cilat zbritja e taksave do të arrijë në 1.5 trilion juanë. Ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet do të kenë përparësi në uljet që do të realizohen para fundit të qershorit.

Duke folur për gjendjen në Ukrainë, Li u shpreh se Kina mbështet të gjitha përpjekjet për të ulur tensionet ndërmjet Rusisë e Ukrainës me mjete paqësore. Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën pas zotimit për të dhënë një kontingjent ndihme humanitare me vlerë 5 milionë juanë (rreth 791 000 dollarë amerikanë) për këtë vend.

Kryeministri kinez tha se sanksionet nuk janë në interesin e askujt dhe do të dëmtojnë rimëkëmbjen e ekonomisë globale që tashmë po vuan nga pasojat e COVID.

Kina është e gatshme të vijojë përpjekjet e saj konstruktive për ruajtjen e paqes e të stabilitetit dhe nxitjen e zhvillimit e të begatisë në botë, tha ai.

Pekini është i përkushtuar ndaj parimit të “Një Kine” dhe kundërshton veprimtaritë separatiste që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit", si edhe do të nxitë përparimin paqësor në marrëdhëniet ndërmjet dy brigjeve të ngushticës dhe ribashkimin e Kinës, vijoi më tej kryeministri.

Li tha gjithashtu se pjesa kontinentale do të vazhdojë të ndajë mundësitë e zhvillimit me bashkatdhetarët e Tajvanit.

Për sa u përket marrëdhënieve me ShBA-në, kreu i qeverisë kineze bëri thirrje që Pekini dhe Uashingtoni të vazhdojnë dialogun.

Duke vënë në dukje se tregtia dypalëshe vjet i kaloi 750 miliardë dollarët, rreth 30 për qind më shumë se në vitin 2020, Li tha se fushat e bashkëpunimit ndërmjet Kinës e ShBA-së janë të gjera dhe potenciali i këtij bashkëpunimi është shumë i madh.

Bashkëpunimi Kinë-ShBA është në dobi të të dy vendeve dhe botës, u shpreh ai, duke shtuar se konkurrenca ekonomike ndërmjet të dy vendeve duhet të jetë e shëndetshme dhe e ndershme.

“Tashmë që dyert e të dy vendeve janë hapur, ato nuk duhet të mbyllen më dhe as nuk duhet të ketë shkëputje,” tha kryeministri kinez Li Keqiang.

Xinhua

Xinhua

Sesioni i pestë i legjislaturës së 13-të të AKP-së, organit më të lartë ligjvënës të Kinës, përfundoi të premten.

Gjatë shtatë ditëve të këtij sesioni ligjvënësit miratuan rezolutat mbi raportin e punës së qeverisë dhe raportet e punës së Komitetit të Përhershëm të AKP-së, Gjykatës së Lartë Popullore dhe Prokurorisë së Lartë Popullore.