Foto:MPJ

Foto:MPJ

Kina po monitoron nga afër zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve, theksoi të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying.

Kina u bëri thirrje palëve të respektojnë shqetësimet e ligjshme të sigurisë të njëra-tjetrës dhe kundërshton veprimet që nxisin luftën, tha Hua në një konferencë të rregullt shtypi, duke përsëritur qëndrimin e Kinës.

"Çështja e Ukrainës ka një sfond historik shumë të ndërlikuar" dhe është rezultat i "faktorëve të ndryshëm", u tha ajo gazetarëve.

Kur u pyet nëse Kina do të ofrojë pajisje ushtarake për Rusinë, zëdhënësja u shpreh: "Kur shohim një rrezik konflikti, ne nuk marrim nismën për t'i ofruar armë palës tjetër. Nuk mendoj se Rusia, si një vend i fuqishëm, ka nevojë për mbështetjen ushtarake të palës kineze ose të vendeve të tjera”.

Kina nuk është e interesuar as të ndjekë mendësinë e Luftës së Ftohtë duke e kategorizuar një vend si mik apo armik, as të formojë të ashtuquajturat aleanca dhe klika të vogla, shtoi ajo. (Çang Çuo)