Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi bëri thirrje të martën për rritjen e përfaqësimit të vendeve në zhvillim si një çështje me përparësi në reformën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Wang i tha këto gjatë takimit virtual me Alya Ahmed Saif Al-Thani dhe Martin Bille Hermann, bashkëkryetarë të Negociatave Ndërqeveritare mbi Reformën e Këshillit të Sigurimit në Sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Al-Thani dhe Hermann janë përkatësisht përfaqësues të përhershëm të Katarit dhe Danimarkës në OKB.

Duke e përshkruar Këshillin e Sigurimit të OKB-së si thelbin e mekanizmit të sigurisë kolektive, Wang theksoi rëndësinë e reformës në rrethanat e paqëndrueshme globale për të rritur aftësitë dhe efikasitetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që ai të përmbushë më mirë detyrat e përcaktuara nga Karta e OKB-së.

Al-Thani dhe Hermann vlerësuan përpjekjet e Kinës lidhur me mbrojtjen e multilateralizmit e me forcimin e rolit të OKB-së dhe u zotuan të rrisin komunikimin dhe bashkërendimin me Kinën dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit për nxitjen e qëndrueshme të reformës.(Artan/Fani)