Foto: Visual People

Foto: Visual People

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin nënshkroi dekretin për të shpalluar njohjen e "Republikës Popullore të Donetskut" dhe "Republikës Popullore të Luhanskut".

Sipas njoftimeve të uebsajtit të presidentit të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse mbajtën të hënën një mbledhje mbi situatën në rajonin Donbas të Ukrainës Lindore. Putini më pas mbajti një fjalim televiziv kombëtar, duke folur për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës, situatën në Ukrainën Lindore, problemin e sigurisë së Rusisë etj.

Më pas Putini nënshkroi dekretin e njohjes së "Republikës Popullore të Donetskut" e "Republikës Popullore të Luhanskut" dhe shpalli traktatin e bashkëpunimit miqësor e të ndihmës reciproke midis Rusisë dhe dy "republikave".

Më parë, po të hënën, Putini zhvilloi një takim telefonik me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz për t'u njoftuar dekretin e njohjes. Macron dhe Scholz shprehën zhgënjimin e tyre, po edhe shpresën që të vazhdojnë kontaktet mbi këtë problem.

Në prill të vitit 2014, në rajonin Donbas të Ukrainës Lindore shpërtheu konflikti i armatosur në shkallë të gjerë midis forcave të qeverisë ukrainase dhe kryengritësve lokalë. Këta të fundit më pas njoftuan themelimin e "Republikës Popullore të Donetskut" e të "Republikës Popullore të Luhanskut". Me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, dy palët në konflikt arritën marrëveshje armëpushimi në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, përkatësisht në shtator 2014 dhe shkurt 2015. Që atëherë, konflikti i armatosur në shkallë të gjerë është vënë nën kontroll, por kanë ndodhur shkëmbime zjarri në shkallë të vogël.