Me ardhjen e Olimpiadës Dimërore të Pekinit 2022, që do të hapet pas disa ditësh, sportistët dhe mediat kanë mbërritur normalisht në tre zonat e konkurrimit ku do të zhvillohen lojërat: Pekin, Yanqing dhe Zhangjiakou.

Pavarësisht nga shqetësimet e mëparshme mbi protokollin e COVID-19, sipas të cilit çdokujt që hyn në “sistemin e qarkut të mbyllur” në këtë edicion të Olimpiadës, i kërkohet të paraqisë dëshminë e vaksinimit të plotë dhe të dy testimeve të acidit nukleik brenda 96 orëve para arritjes, mbërritja e tyre në Kinë, përfshirë shumë kontrolle dhe testime në Aeroportin e Kryeqytetit të Pekinit, ka qenë e shpejtë dhe pa presion, i thanë gazetarët e huaj CGTN-it.

“Mendoja se duhej të prisja më gjatë, për dy, tre madje katër orë, por ishte diçka e lirshme dhe pa ndërprerje. Ishte një suprizë për mua shpejtësia,” tha Pat Graham, një gazetar amerikan nga agjencia AP.

Në qarkun e mbyllur, mediat, sportistët dhe stafi duhet të kryejnë testim çdo ditë gjatë Lojërave, maska e fytyrës duhet të mbahet në çdo kohë dhe gjatë intervistave me sportistët kërkohet distancim social, në mënyrë që ky edicion i Olimpiadës të jetë sa më i sigurt gjatë pandemisë.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit do të zhvillohet të premten dhe medaljet e para do të jepen të shtunën në dygarëshin dimëror, krosin e skive, ski stil i lirë dhe patinazhin e shpejtësisë. (Wang Lei/ Artan)