Më 1 shkurt, në ditën e parë të Vitit të Ri Kinez, do të jepet shfaqja e dritave me temën "Për të ardhmen së bashku", e organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në Kullën “Burj Khalifa” të Dubait, ndërtesën më të lartë në botë, për të pritur së bashku me botën Olimpiadën Dimërore dhe Vitin e Ri Kinez.

Kulla “Burj Khalifa" 828 metra e lartë, ka gjithsej 162 kate dhe është ndërtesa më e lartë në botë. CMG-ja do të krijojë ekranin më të madh LED në botë në gjithë trupin e kullës dhe do të përdorë teknologji të projeksionit të dritave me qartësi super të lartë 8K me efekte speciale 3D që mund të shihen me sy të zhveshur, për të dhënë një shfaqje të mrekullueshme dritash.

Shfaqja e dritave "Për të ardhmen së bashku" do të paraqesë së pari temën e Olimpiadës Dimërore të Pekinit dhe maskotët "Bingdundun" dhe "Xuerongrong" do të dalin në ekran.

Shfaqja do të përmbajë gjithashtu temën e Galasë së Festës së Pranverës të CMG-së. Nëpërmjet ngjyrës së kuqe kineze dhe simboleve të kulturës tradicionale kineze do të shfaqet atmosfera e gëzuar e Vitit të Ri Kinez. CMG-ja do t'i shprehë gjithë botës urime me rastin e Vitit të Ri Kinez të Tigrit. (Fani/Artan)